Komisionari për zgjerim i BE-së sot në Mal të Zi
Komisionari për Zëzgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, viziton sot Malin e Zi, për të biseduar me kryeministrin e këtij vendi, Dushko Markoviq.
Të enjten, Varhelyi ka takuar në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, të propozuar nga Komisioni Evropian.
Kjo metodologji është thënë se do ta bëjë procesin e anëtarësimit në BE më të besueshëm, më të parashikueshëm dhe me gjithëpërfshirje politike.
Nëse miratohet nga vendet anëtare të BE-së, metodologjia e re do të aplikohet automatikisht për Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Serbia dhe Mali i Zi, që tashmë i kanë nisur negociatat me Brukselin, do të mund të zgjedhin midis qasjes aktuale dhe metodologjisë së re.
Vuçiqi ka thënë se Serbia do të mund të përfitojë nga plani i propozuar, i cili u jep vendeve anëtare rol më të fuqishëm në bisedimet e anëtarësimit.
Varhelyi, i cili mori detyrën në dhjetor, ka thënë se zgjerimi i BE-së me Ballkanin është “prioriteti i tij më i madh”.
“Në fund të mandatit tim, do të doja që së paku një vend i rajonit të jetë gati për anëtarësim”, ka thënë ai.