Opozita thotë se do të jetë e fuqishme në raport me qeverinë

07 shkurt 2020 | 10:48

Opozita në Kuvendin e Kosovës ka thënë se ka fare pak pika të përbashkëta me Qeverinë e sapozgjedhur të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti.

Në seancën e 3 shkurtit, kur Kuvendi, pa votat e tri partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate, zgjodhi qeverinë e re, deputetët opozitarë ishin të zëshëm kundër formimit të kësaj qeverie.

Në këtë vijë, paralajmërojnë qeverinë aktuale të Kurtit, se do ta ketë mbështetjen e opozitës vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me interesat e shtetit.

Kurse dallimet, thuhet se do të jenë shumë më të mëdha për politikat të cilat Kurti i ka paralajmëruar gjatë elaborimit të programit qeverisës.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë  se qeveria do të përballet me një opozitë të fuqishme.

“Temave që nuk janë në interes të Kosovës, do t’ju qëndrojmë karshi tyre, do ta bëjmë një opozitë të fortë. Të vetmet pika që mund të na ofrojë janë punët e mira që qeveria mund t’i bëjë në të mirën e vendit. Kurse, për punët e këqija do të na ketë para”, ka thënë Kadrijaj.

Albulena Balaj-Halimaj është deputete opozitare nga Nisma Socialdemokrate. Ajo ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se deputetët e Kuvendit të Kosovë ende nuk e kanë parë programin e Qeverisë Kurti, por nga ajo që është dëgjuar në seancën e 3 shkurtit, kur Kurti u zgjodh kryeministër, Balaj-Halimaj veçon sidomos zotimin e Kurtit për zëvendësimin e taksës 100 për qind për importet nga Serbia me masën e reciprocitetit, si një çështje të cilën opozita do ta kundërshtojë.

“Përkrahjen e Nismës nuk e ka nëse e largon tarifën 100 për qind. Normal ne kemi thënë që duhet të pushojnë arsyet pse është vendosur taksa, e pastaj të largohet. Ka edhe tema të tjera që i kemi përmendur vazhdimisht”, ka thënë Balaj-Halimaj.

Deputetja nga Nisma Socialdemokrate, ka konsideruar se për çështje të rëndësishme siç është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të kishte një unitet.

“Për tema të mëdha, duhet të jenë të gjithë bashkë, aty nuk ka pozitë e opozitë”, ka deklaruar ajo.

Por, njëherësh ajo ka rikujtuar se në qeverinë e kaluar të drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dashur të marrin përgjegjësi në dialog.

“Dhe tash nuk di se sa partitë opozitare janë të gatshme ta mbështesin Albin Kurtin ose LDK-në”, ka thënë Balaj- Halimaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, po ashtu parti opozitare,  ka thënë se PDK tashmë ka nisur të bojkotojë mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit për shkak se kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani, ka larguar, siç deklaruar ai, jashtëligjshëm, fotografinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka deklaruar se në situatën në të cilën ndodhemi, Kosova duhet të ketë kohezion të brendshëm.

“Nuk është ky vullneti ynë, nuk është dëshira jonë sepse unë besoj se më shumë mund të kontribuojmë duke marrë pjesë në mbledhje me këshilla, kritika e rekomandime, sesa me qenë jashtë institucioneve”, ka thënë  Hamza.

Kuvendi i Kosovës votoi për qeverinë e re në seancën e 3 shkurtit. Qeveria e re është rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Partitë politike opozitare ia kanë kujtuar në vazhdimësi këto ditë kryeministrit Albin Kurti problemet dhe sfidat me të cilat do të përballet qeveria e tij, duke e paralajmëruar për opozitarizëm të fuqishme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë bilbili i muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Nexhmije…