Komisioni Europian: Të fokusohemi në shëndetësi, punësim dhe stabilitet fiskal

21 maj 2020 | 09:18

”Vendet e Bashkimit Europian duhet të fokusohen tani në investime në shëndetin publik, në mbrojtjen e vendeve të punës dhe kompanive si dhe më pas të shqetësohen për qëndrueshmërinë fiskale”. Udhëzimi erdhi nga Komisioni Europian që u largua nga thirrjet e zakonshme për politika dhe reforma të kujdesshme. Në rekomandimet vjetore për bllokun me 27 vende anëtare, të quajtura Semestri Europian, ekzekutivi në Bruksel tha se Unioni duhet të koordinojë qasjen e tij për rimëkëmbjen ekonomike sapo pandemia koronavirus të largohet.

“Semestri Europian është rindërtuar dhe përshtatur për të udhëzuar dhe mbështetur shtetet anëtare për fazën imediate dhe atë të ardhshme të kësaj krize. Në prioritetet urgjente përfshihen investimet në shëndetësi, mbrojtja e vendeve të punë, sigurimi i likuiditetit për kompanitë dhe luftimi i ndikimit në shoqëri”, deklaroi Valdis Dombrovskis, zëvendëspresident i Këshillit Europian.

Komisioneri Europian për Ekonominë dhe Financat, Paolo Gentilioni, tha se gjatë fazës së rimëkëmbjes, investimet dhe reformat duhet të fokusohen në respektimin e mjedisit dhe në transicionit digjital si dhe të garantojnë barazi sociale.

“Rekomandimi ynë është që fillimisht të adresohen sfidat me të cilat po përballemi për shkak të pandemisë, prandaj duhet të fuqizohet sistemi ynë shëndetësor, të mbështesim punonjësit dhe të shpëtojmë kompanitë tona. Në të njëjtën kohë, sfidat me të cilat përballeshim përpara krizës nuk janë larguar. Klima jonë ende po vuan dhe mjedisi gjithashtu”, deklaroi Gentiloni.

Boshllëqet në buxhetet e të gjitha vendeve të BE-së, përveç Bullgarisë, do të zgjerohen përtej kufirit të zakonshëm të bllokut prej 3% të prodhimit të brendshëm bruto këtë vit, ndërsa qeveritë do të përdorin fonde publike për të përmirësuar ekonomitë që pritet të zhyten në një recesion tepër të thellë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një histori të padëgjuar dhe aspak të hijshme për policinë…