Komisioni i Venecias: Meta tejkaloi kompetencat me anulimin e zgjedhjeve

28 shtator 2019 | 19:17

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese kur ka vendosur fillimisht të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit e më pas t’i shtyjë ato.

Ky është konkluzioni i Komisionit të Venecias në opinion paraprak që i ka dorëzuar këtë të premte Kuvendit dhe Presidencës, pas kërkesës që Parlamenti i ka dërguar për të shprehur mendimin mbi kompetencat e kreut të shtetit, pas fillimit të procedurave për shkarkimin e tij.

“Presidenti tejkaloi kompetencat e tij Kushtetutuese fillimisht duke anuluar e më pas duke shtyrë zgjedhjet lokale. Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Sidoqoftë, rregullat e zbatueshme kushtetuese për situata emergjente nuk u ndoqën në këtë rast. As nuk kishte një konsensus politik, i cili do të lejonte krijimin e një baze ligjore ad-hoc. Mungesa e një baze ligjore dhe disponueshmëria e alternativave (shtyrja e zgjedhjeve sipas masave emergjente sipas nenit 170 të Kushtetutës ose rifillimi i dialogut politik pas zgjedhjeve) e bëjnë ndërhyrjen në të drejtat elektorale jo proporcionale. Anulimi i zgjedhjeve ndikon në të drejtë për të zgjedhur të njohur nga instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.

Komisioni i Venecias, në opinionin paraprak te siguruar nga televizioni “Klan”, ka thënë  se bojktoi i zgjedhjeve nga opozita, nuk mund të jetë shkak për anulimin e tyre.

“Bojkoti zgjedhor nga partitë politike, edhe nëse ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Përndryshe, këto parti do të kishin në dorë levën për të ndaluar plotësisht çdo zgjedhje”.

Përsa i përket pyetjes se bërë nga Kuvendi në lidhje me shkarkimin e presidentit, Komisioni i Venecias është shprehur se kjo kompetencë është e Parlamentit e më pas e Gjykatës Kushtetuese.

“Është detyrë e Parlamentit dhe në fund e Gjykatës Kushtetuese të përcaktojë nëse kjo ka të bëjë me ‘shkelje serioze’, të cilat do të lejonin një fajësim të presidentit”.

Ky opinion i Komisionit të Venecias, sipas të cilit Presidenti i tejkaloi kompetencat me anulimin e zgjedhjeve, duket se legjitimon përfundimisht zhvillimin e zgjedhjeve vendore më 30 qeshor.

Përse e ka konsiderur si antikushtetues vendimin e presidentit, mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit të kreut te shtetit, të cilat, siç thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias dhe siç përcaktohet në Kushtetutë, do të mbyllen me një vendim të Parlamentit pas raportit të Komisionit të posaçëm Hetimor dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese./tv klan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tubimet me qytetarët në rajonin e Anamoravës, kandidati për kryeministër…