Komisioni e kthen prapa draft-statutin e “Trepçës”

22 janar 2019 | 13:10

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ka kthyer prapa projekt-statutin e “Trepçës” pas vërejtjeve që dhanë deputetët e këtij komisioni.

Deputetët kërkuan nga Bordi i “Trepçës” që të sjellë para tyre një dokumentacion të plotë dhe të harmonizuar me kërkesat e sindikatës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Liburn Aliu, ka deklaruar se ky statut është i njëjtë me atë që ka qenë më parë.

“Le ta bëjë bordi statutin. Nëse na i shtimë duart në statut atëherë në hyjmë në një grup të gjerë heterogjen, ku edhe mund të bëhen gabime. Pse ne të bëjmë amendamente?”, është shprehur ai.

Kurse kryetarja e këtij komisioni, Sala Berisha-Shala, ka deklaruar se Kuvendi miraton edhe statute. Sipas saj, zërat kundërshtarë nuk ia duan të mirën as “Trepçës” dhe as vendit.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është shprehur e pakënaqur me draft-statutin e marrë.

Ndërsa deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, ka dhënë vërejtje për draft-statutin aktual. “Nëse shkojmë faqe për faqe, shohim se nuk ka përputhje në mes të shtyllave”, ka thënë Sejdiu.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka pyetur anëtarët e bordit të “Trepçës” pse nuk kanë sjell një draft-statut të plotë.

Në përgjigjën e tij, anëtari i bordit Naser Peci ka theksuar se është e vështirë për t’u përfshirë të gjitha në një draft-statut, mirëpo ka pohuar se kolona e tretë është shumë e përafërt me atë që është arritur marrëveshja.

Kryetari i Sindikatës së “Trepçës”, Shyqiri Sadiku, ka rikonfirmuar harmonizimin e kërkesave të tij, duke theksuar se për krejt këto zvarritje përgjegjës është bordi i sindikatës, pasi sipas tij nuk ka pranuar t’i vendos në statut vërejtjet që sindikata u ka dhënë.

Po ashtu në këtë mbledhje u vendos që raporti i panelit për zgjedhjen e Bordit të KOSTT-it t’i kalojë Kuvendit që të zgjedhë gjashtë anëtarë, nga 12 sa janë në listën e ngushtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar sulmin…