Komisioni për Legjislacion dhe Këshilli Gjyqësor thellojnë bashkëpunimin institucional për avancimin e reformave në drejtësi

16 nëntor 2026 | 17:53

Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimi i reformave legjislative dhe avancimi i mekanizmave për një sistem gjyqësor të pavarur, efikas dhe llogaridhënës ishin në qendër të vizitës zyrtare të delegacionit të Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Delegacioni parlamentar, i kryesuar nga Vigan Qorrolli, kryetar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, në përbërje të nënkryetarit të dytë, Albert Kinolli, dhe anëtarëve Arijeta Rexhepi e Besnik Tahiri, u prit nga kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, së bashku me anëtarë të tjerë të Këshillit.

Takimi u përqendrua në ndërtimin e një bashkëpunimi më të strukturuar dhe të qëndrueshëm ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në procesin e hartimit, shqyrtimit dhe harmonizimit të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor.

Kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli, theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet pushtetit legjislativ dhe institucioneve të drejtësisë, duke vënë në dukje se cilësia e reformave ligjore dhe zbatueshmëria e tyre kërkojnë bashkërendim institucional, respektim të kompetencave kushtetuese dhe ruajtje të plotë të pavarësisë së gjyqësorit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve aktuale legjislative, harmonizimit të paketës së ligjeve që prekin sistemin gjyqësor dhe përmbushjes së zotimeve që burojnë nga Deklarata e Përbashkët e Zotimeve ndërmjet institucioneve të drejtësisë.

Palët diskutuan edhe mbi rëndësinë e koordinimit të veprimeve institucionale për të siguruar që reformat të përkthehen në përmirësime konkrete të funksionimit të drejtësisë.

Në këtë kontekst, u theksua se bashkëpunimi ndërmjet Komisionit për Legjislacion dhe Këshillit Gjyqësor duhet të shërbejë si një mekanizëm i vazhdueshëm konsultimi, bashkërendimi dhe përgjegjësie të ndërsjellë institucionale, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe mandatin kushtetues të secilit institucion.

Gjatë takimit u trajtuan edhe sfidat me të cilat përballet sistemi gjyqësor, përfshirë nevojat infrastrukturore, kushtet e punës, kapacitetet administrative dhe burimet financiare të nevojshme për funksionimin efikas të gjykatave. Këto çështje u diskutuan në kuadër të një qasjeje më të gjerë për përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe të cilësisë së shërbimeve gjyqësore.

Përfaqësuesit e të dy institucioneve ritheksuan rëndësinë e një procesi ligjvënës gjithëpërfshirës, të mbështetur në konsultime profesionale dhe në vlerësimin e nevojave reale të sistemit gjyqësor, me qëllim që ndërhyrjet legjislative të jenë të qëndrueshme, funksionale dhe në përputhje me standardet kushtetuese.

Në përfundim të takimit, palët u dakorduan për vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit reciprok, përmes komunikimit të rregullt institucional dhe koordinimit në çështjet me interes të përbashkët.

Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për një partneritet institucional të qëndrueshëm, në funksion të avancimit të reformave, forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të një drejtësie të pavarur, efikase dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen…