Komisioni për të Drejtat e Njeriut dënon ndalimin e deputetit Petroviq nga policia serbe

12 dhjetor 2018 | 16:21

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar edhe për ndalimin e jashtëligjshëm të deputetit dhe anëtarit të këtij komisioni, Slobodan Petroviq, nga ana e xhandarmërisë serbe në kufirin Kosovë-Serbi, përkatësisht në pikën kufitare në Mendarë.

Më 8 dhjetor, gjatë kalimit të kufirit Kosovë-Serbi, deputeti i Partisë Liberale Serbe, Slobodan Petroviq, është ndaluar nga policia serbe ku është mbajtur për disa orë duke u marrë në pyetje nga pjesëtarë të shërbimit informativ serb (më tej BIA). Për orë të tëra deputeti Slobodan Petroviq i është nënshtruar presionit direkt të Serbisë për punën e tij, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim Komisioni Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, nxori një deklaratë prej katër pikave.

“1. Dënojmë ashpër ndalimin e paligjshëm të deputetit dhe anëtarit të Komisionit Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve nga policia serbe. Konsiderojmë se ky ndalim bëhet me qëllim të ushtrimit të presionit dhe kërcënimit ndaj punës së deputetit, Slobodan Petroviq. 2. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që situata të këtilla presioni ndaj deputetëve të mos ndodhin. 3. Kërkojmë nga Zyra për politikë të jashtme e BE-së, përkatësisht nga përfaqësuesja Federica Mogherini që të ushtrojë presion tek Qeveria Serbe për sqarimet e nevojshme mbi arsyen dhe rrethanat e këtij rasti si dhe presionin në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla në të ardhmen. 4. Kërkojmë nga institucionet e sigurisë së shtetit të Kosovës që me seriozitet ta trajtojnë këtë rast dhe të ofrojnë siguri për deputetin Slobodan Petroviq dhe familjen e tij”, është theksuar në deklaratën e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, ka thënë se…