“KOMPASI STRATEGJIK” (KOMIK) I BASHKIMIT EVROPIAN PËRBALLË “PATKOIT” GJENOCIDAL TË PUTINIT

04 prill 2022 | 19:31

Tridhjetë e tre vite pas rënies së Murit të Berlinit, Perëndimi ende ka krizë të formulimit të interesave të veta gjeostrategjike, ka edhe frikë neurotike nga Rusia.

Milazim KRASNIQI

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, me fitoren spektakulare të Perëndimit ndaj ish Bashkimit Sovjetik, Perëndimi hyri në një periudhë vetëkënaqësie, ndërsa trashëgimtarja formale e BRSS, Rusia, e filloi një proces të nëndheshëm të përgatitjes për hakmarrje. Vetëkënaqësia e Perëndimit me fitoren, realisht ishte e pajustifikueshme, sepse nuk ishte fitore me meritën ekskluzive të Perëndimit. Bashkimi Sovjetik më shumë u shkërmoq nga krizat e veta të brendshme, në rend të parë atyre ekonomike, nga eksperimenti me Perestrojken e Gorbaçovit dhe sidomos nga lëvizjet sociale si “Solidarnosti” polak, e jo nga konfrontimi ushtarak me Perëndimin. Për gjithë atë fitore spektakulare të Perëndimit, në fazën finale të ballafaqimit bllokist, praktikisht nuk u shkrep asnjë plumb.

Fitorja me lehtësi e Luftës së Ftohtë e vuri në gjumë Perëndimin

Garën ushtarake e politike me Perëndimin, BRSS (Rusia) e humbi, si pasojë e dështimit të socializmit si teori e si praktikë, si pasojë e lëvizjeve sociale, fetare e kombëtare në kombet e shteteve të Europës Qendrore e Lindore, po edhe brenda vetë Bashkimit Sovjetik. Mirëpo, Perëndimi vazhdoi të vilte rezultatet e asaj shkërrmoqeje të BRSS e të Traktatit të Vrashavës, si të ishte fitimtar absolut.

Me perceptimin e vetes si fitues absolut, Bashkimi Evropian dhe NATO e filluan procesin e anëtarësimit të ish shteteve satelite të Bashkimit Sovjetik në strukturat e veta, me një triumfalizëm të madh. Disa nga shtetet e Europës Lindore, u pranuan pa plotësuar as kriteret minimale. Në fakt, as në projektin e anëtarësimit të tyre në BE e në NATO nuk u kërkua ndonjë vendosmëri e madhe dhe as investime të mëdha të Perëndimit, meqë opinioni publik në ato vende, si në Poloni, Çeki, Hungari, Rumani, Bullgari, ishte në favor të afrimit me Perëndimit e bollëkut, ndërsa Rusia ishte në kolaps dhe bënte zhurmë vetëm me fjalë.

Në të vërtetë, anëtarësimi i këtyre shteteve në Bashkimin Evropian po edhe në NATO, i ofroi Perëndimit, jo vetëm përfitime gjeopolitike, po edhe përfitime të mëdha ekonomike, duke e bërë hisedar në privatizime dhe në investime në ato vende, që u emërtuan si demokraci të reja. Kësodore, pas pranimit të atyre shteteve në BE e në NATO, Perëndimi e kujtoi gati të mbyllur konfliktin me Rusinë. Perëndimi u koncentrua në problemet e veta organizative,duke e injoruar rrezikun nga rizgjimi i ariut rus. Shumë nga shtetet e Bashkimit Evropian zvogëluan buxhetet për mbrojtje, nën kuotën 2%, duke mos çarë kokën për aspektet e mbrojtjes, me bindjen naive se gara në armatim me Rusinë ishte e mbyllur, prandaj nuk konsiderohej se kishte nevojë të bëheshin shpenzime të panevojshme në atë sektor.

Bashkë me këtë triumf të vetëkënaqësisë, pasoi edhe arroganca e Perëndimit, veçmas e Bashkimit Evropian, kundër pjesës së vet më të varfër, kundër Ballkanit. Meqë përfitimet ekonomike nga Ballkani do të ishin më të vogla se sa nga Evropa Qendrore dhe ajo Lindore dhe meqë në Ballkan kishte edhe një problem shtesë, “problemi musliman”, (që në esencë është një problem imagjinar i Perëndimit), atëherë u zgjodh politika e konservimit në krizë e tranzicion të këtij rajoni, ndonëse është rajon në zemër të vetë Evropës, fjala vjen, në krahasim me Qipron, Greqinë, Bullgarinë e Rumaninë. Në Samitin e Selanikut të vitit 2003, ndonëse u lansua mundësia e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkim Evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor, kjo gjë u injorua. Në fakt, prirja strategjike për ta injoruar rajonin e Ballkanit, u duk në formën më çnjerëzore në vitet 1991- 1999, kur Bashkimi Evropian u tregua indiferent e indolent ndaj agresionit ushtarak dhe gjenocidit të Serbisë, veçmas në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Bile sot është e qartë se po të mos aktivizohej administrata amerikane, në vitin 1995 në BeH dhe në vitin 1999 në Kosovë,spastrimi etnik dhe gjenocidi serb do të triumfonin në të dyja këto vende, ashtu që çrrënosja e myslimanëve evropianë, e filluar nga Kongresi i Berlinit, do të ishte përfunduar në fund të shekullit XX.

SHBA largoi vëmendjen nga Rusia, për luftëra të kota me shtete të dështuara

Injorimi i Ballkanit nga Bashkimi Evropian, e sidomos nga Gjermania, bënë që këtu të fillonte të fillonte të rikthehej gradualisht ndikimi rus, si dhe të forcohej prezenca e Kinës, me anën e projekteve investuese. Pra, Bashkimi Evropian, qëllimisht e ka trajtuar Ballkanin Perëndimor si corpus alieni, si trup të huaj, për arsye të paragjykimeve fetare në rend të parë, sikundër ka vepruar edhe në raport me Turqinë tash tre decenie. Por, vetëkënaqësia dhe arroganca e Bashkimit Evropian pati një formë shfrenimi edhe në raport me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Disa nga shtetet e BE-së, sidomos Gjermania e Franca, u ndien triumfuese, sepse po mbeteshin pa rival brenda strukturave të bashkimit. Në këtë kontekst, nuk duhet të shmanget nga vëmendja analitike, ndikimi që ka pasur Gjermania në Brexit, me projektin e udhëhequr nga “Zydojçe cajtung”, për aferën globale “Letrat e Panamasë”, ku u gjet i përfshirë babai i ish kryeministrit britanik, Dejvid Kamerunit. Pompimi i asaj afere të familjes kryeministrore britanike, e dëmtoi rëndë ish kryeministrin, i cili po udhëhiqte fushatën për mbetjen e Britanisë në BE. Triumfi i egoizmit gjerman dhe cinizmit francez edhe në këtë rast, si në rastin e bashkëpunimit të njëanshëm ekonomik me Rusinë, që e rriti varësinë e ekonomisë evropiane  nga humori i Putinit.

Në prapavijë të këtyre zhvillimeve absurde, të injorimit të Ballkanit e të Turqisë, të përzënies së Britanisë nga BE, strategjia e nëndheshme e hakmarrjes ruse, si virusi anaerob që ka qëndruar fshehur e mbyllur, gjeti oksigjenin që i duhej që të shtonte virulencën e vet. Ajo virulencë nuk do të rritej aq shumë, po qe se SHBA nga ana e vet, do të mbante kujdestarinë e duhur ndaj Rusisë. Në fakt, Shtetet e Bashkuara, me ndjenjën e fituesit të Luftës së Ftoftë, realizuan intervenime të efektshme në Bosnjë e në Kosovë, duke e goditur rëndë influencën ruse në rajonin e Ballkanit. Por, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e finalizuan fitoren kundër Rusisë në Ballkan. Përkundrazi, në momentin kur duhej të finalizohej fitorja mbi Rusinë e mbi komunizmin, SHBA u përfshi në luftën në Irak, me çka presioni vendimtar mbi Rusinë u shmang. Ndërsa para ndërhyrjes kundër Irakut për Kuvajtin, me Marrëveshjen e Dejtonit për Bosnjën dhe me  ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, SHBA bëri punë të madhe, por edhe atë e lanë të papërfunduar. Përfshirja e mëvonshme e SHBA-ve në luftën në Afganistan e Irak, sidomos në luftën e dytë në Irak, jo vetëm ia hoqi vëmendjen nga Ballkani e nga Evropa Lindore, po ia konsumoi një sasi enorme të resurseve ushtarake e ekonomike, si dhe e dëmtoi rëndë reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare. Sipas disa përllogaritjeve, lufta në Irak i ka kushtuar SHBA deri ne 300 miliardë dollarë, ndërsa lufta në Afganistan rreth dy bilionë dollarë. Nga ana tjetër, me faktin që në Irak nuk u gjetën armë të shkatërrimit në masë, për të cilat u justifikua pushtimi i Irakut, ishte dërrmues për pozitën morale të shtetit që ishte lider i demokracisë dhe lirisë. E vërteta është se SHBA u dërrmuan ushtarakisht dhe ekonomikisht në Irak e në Afganistan, pa ndonjë përfitim të madh strategjik:pushtimi i Irakut u bë nga një motivim ideologjik, ndërsa pushtimi i Afganistanit ishte një reagim tipik hakmarrës, për shkak të sulmeve terroriste të Al Kaidës në territorin e SHBA-së në vitin 2001. Dëmi për SHBA u ilustrua shumë qartë edhe nga largimi me një panik të paimagjinueshëm nga Afganistani.

Gjatë kësaj periudhe njëzetvjeçare të angazhimit të SHBA në Irak e në Afganistan, vëmendja dhe presioni i SHBA mbi Rusinë e edhe mbi Kinën ishte minimal, sepse energjia kryesore ishte e drejtuar në konfliktet e armatosura në ato dy vende. Si pasojë e kësaj, Rusia, po edhe Kina, shfrytëzuan dy decenie të plota që të zhvillonin pothuajse të patrazuara projektet e tyre militariste. Rikthimi hakmarrës i Rusisë u manifestuar brutalisht në pushtimin/aneksimin e Krimesë (2014) dhe në ndërhyrjen gjenocidale në Siri. Por, simbol i rritjes së fuqisë dhe arrogancës antiperëndimore dhe sidomos antiamerikane, mbetet ndërhyrja ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Pra, derisa SHBA e kishin shmangur nga vëmendja humbësen e Luftës së Ftohtë e po merreshin me shtete të dështuara si Afganistani, Iraku e Siria, Rusia po rikthehej si hakmarrëse edhe ndaj vetë SHBA-së. Në ndërkohë Rusia ka realizuar jo vetëm pushtime në Gruzi, Moldavi e në Ukrainë. Në Ballkanin Perëndimor Serbinë dhe entitetin R. Serpska i ka shndërruar në vasal, ndërsa tentoi edhe dy grushshtete, një në Malin e Zi e tjetrin në Maqedoninë e Veriut. Pra, deri sa Bashkimi Evropian kishte fjetur i vetëkënaqur me bollëkun e vet, derisa SHBA ishte shkallmuar në dy luftëra të pakuptimta, ariu rus kishte filluar të kafshonte në të katër anët egërsisht. Kafshimi i tashëm në Ukrainë, e tregon fazën më virulente të tërbimit të tij.

Puna e lënë përgjysmë po e shkatërron edhe Ukrainën

Kjo përvojë me ish BRSS përkatësisht me Rusinë, ku Perëndimi u mjaftua me fitore të pjesshme, në Europën Lindore dhe në Ballkan, e bën të qartë se fitoret e pjesshme janë të rrezikshme edhe për fituesit, sepse i japin motiv më të fortë humbësit, për të goditur sa më egërsisht, në momentin që i rishfaqet mundësia. Goditja mizore në Ukrainë është hakmarrje tipike ndaj prirjeve të saj perëndimore po edhe ndaj punëve të lëna përgjysmë të Perëndimit. Ukraina si edhe Ballkani Perëndimor është punë e lënë përgjysmë nga BE dhe nga NATO. Pse? Po qe se e analizojmë rastin e Ukrainës në këtë sfond, shihet se NATO dhe Bashkimi Evropian e kanë nxitur Ukrainën drejt politikave perëndimore, e kanë ndihmuar në atë drejtim, por jo në mënyrë vendimtare. E kanë lënë që procesi i integrimit a anëtarësimit të tejzgjatet, pa i dhënë siguri konkrete. Bile në rastin e Ukrainës, Perëndimi ka bërë një gabim trashanik: në vitin 1994 e kanë detyruar Ukrainën që të dorëzojë tërë arsenalin bërthamor dhe të heqë dorë nga statusi i shtetit me armë bërthamore. Në Marrëveshjen e Budapestit, si garant për integritetindhe sovranitetin e Ukrainës, kanë dalë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Ukraina e ka dorëzuar tërë arsenalin bërthamor me atë garanci, ndërsa sot është viktimë e agresionit barbar ushtarak të Rusisë. Ndihma që po i afrohet nga SHBA, Britania e madhe, NATO e BE është e tërthortë, por jo në pajtim me Marrëveshjen e Budapestit. Ne sot mund të imagjinojmë se si do të ishte pozita e Ukrainës, po të posedonte arsenalin bërthamor, që e ka pasur dhe mund të konkludojmë se Putini nuk do të guxonte ta sulmonte Ukrainën me këtë egërsi me të cilën e ka sulmuar. Pra, sot kuptohet se sa e palogjikshme ka qenë çarmatosja e aleatit të Perëndimit, Ukrainës, në favor të armikut të Perëndimit, Rusisë!

Disa shtete të BE e NATO-s, si aleat të Rusisë kundër Kosovës

E njëjta qasje është edhe ndaj Kosovës, në rastin e Bashkimit Evropian. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, duke u bërë palë me Rusinë, me Serbinë e me Kinën, që kanë plane diversioniste jo vetëm ndaj Kosovës po edhe ndaj Perëndimit, si të tillë. Bashkimi Evropian favorizon Serbinë në çdo nivel të bashkëpunimit, ndërsa Kosovën e mban të izoluar dhe nën presion permanent. Ndërsa sikundër dihet, Kosova dhe shqiptarët në tërësi janë më euroentuziastët në kontinent, ndërsa Serbia ka element të shtetit vasal të Rusisë. Absurditet më vete është që katër shtete të NATO-s, e cila ushtron mandat sigurie në Kosovë, nuk e njohin Kosovën, duke qenë ashtu edhe ato më afër pozicionit rus, serb e kinez se sa të vetë NATO-s! Me një fjalë, tridhjetë e tre vite pas rënies së Murit të Berlinit, Perëndimi ende ka krizë të formulimit të interesave të veta gjeostrategjike, ka edhe frikë neurotike nga Rusia.

Në kuadër të kësaj krize të Bashkimit Evropian, po e pësojnë aleatët e saj, siç janë Kosova, Bosnja, po edhe Turqia, ndërsa marrin favore satelitët e Rusisë, Serbia në rend të parë. Pse? Sepse mendimi politik në Evropë po e ndjek kurbën në rënie të mosveprimit në raport me mbrojtjen e identitetit divers evropian dhe në raport me pretendimet e armiqve të Evropës. Paradoksalisht, Bashkimi Evropian e pati një periudhë bukur të gjatë, kur armiq të vet i shihte më shumë britanikët dhe muslimanët e Ballkanit, se sa Rusinë e Kinën.

Tash mendimi evropian është në provë. Nëse mbetet në linjën e “kompasit strategjik” të Borellit, ai është mendim komik përballë operacionit gjenocidal, “Patkoit” të Putinit, që po synon spastrimin etnik në Ukrainës Lindore dhe kufizimin e sovranitetit të shteteve ish sovjetike dhe të ish bllokut komunist, me doktrinën e Brezhnjevit. I paraqitur vetëm një vit para agresionit rus kundër Ukrainës, “kompasi strategjik” për Bashkimin Evropian, me firmën e Zhozep Borelit, tregon se mendimi strategjik në BE është “n’er lula” siç thuhet shqip, për një gjendje që nuk përkon fare me realitetin. Mendimi strategjik në Bashkimin Evropian dhe në NATO, po edhe në SHBA duhet të riformulohet, duke e rritur vendosmërinë e Perëndimit, duke e mbrojtur më vendosmërisht Ukrainën, në bazë të Marrëveshjes së Budapestit dhe duke e futur Ballkanin me procedura të përshpejtuara në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe duke ua thyer kurrizin politikave pro-ruse kudo të Europë, veçmas në Ballkan, ku Serbia dhe entiteti Republika Serbe, sillen si vasal të Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Shteteve të Bashkuara konfiskoi të hënën në Spanjë…