Komuna e Mitrovicës vazhdon aktivitetet për parandalimin e Covid-19

01 prill 2020 | 12:58

Drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, ka mbajtur mbledhje të radhës me shtabin emergjent të Komunës së Mitrovicës, për të diskutuar lidhur me aktivitetet dhe masat preventive ndaj virusit COVID-19.

Me këtë rast, drejtoresha Hasanaj Barani, ka raportuar për situatën aktuale në institucionet shëndetësore, derisa ka theksuar se stafi janë të gatshëm që të ofrojnë shërbime të sigurta dhe profesionale për qytetarët.

Ndërsa drejtoresha e IRSHP-së, Teuta Fejza, ka thënë se në bashkëpunim me policinë dhe QKMF-në “Dr. Nexhat Çuni” janë në mbikëqyrje të të gjithë personave të cilët kanë hyrë në qytetin e Mitrovicës përmes pikave kufitare dhe atyre ajrore nga shtete të ndryshme, si dhe përcjellin gjendjen e tyre shëndetësore për 14 ditë.

Në anën tjetër drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, Fevzi Sylejmani, ka potencuar se stafi mjekësor përveç shërbimeve të zakonshme janë të angazhuar edhe në bartjen e pacientëve të cilët kanë nevojë për trajtim në QKUK, dhe vazhdojnë me punën në teren për rastet e rënda. Po ashtu, ai ka theksuar se dezinfektimi i institucioneve shëndetësore do të vazhdoj edhe në ditët në vijim.

Më tutje, komandanti i Policisë së Stacionit Jugor, Ahmet Xhosha, ka thënë se në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspeksionit kanë kryer inspektime të vazhdueshme ndaj subjekteve afariste për respektimin e vendimit të Qeverisë, dhe se janë duke punuar me orar të zgjatur deri në 12 orë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i masave parandaluese të virusit COVID-19 dhe të ofrohen shërbime të sigurta për qytetarët.

Në fund drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani,  ka kërkuar nga të gjithë qytetarët të respektojnë të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së për të qëndruar në shtëpi, të mbajnë distancën sociale dhe higjienën personale.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Medias i Kosovës ka mbajtur konferencë lidhur me…