Komuna e Prishtinës gabon drejtoritë, pëson “lagjja e artistëve” në Ulpianë

03 prill 2024 | 20:42

Ka pesë muaj që banorët e lagjes së njohur si “lagjja e artistëve”, duhet të dalin nga shtëpitë e lokalet e veta me hundë të mbyllur e duke tentuar ta injorojnë erën e ujërave të zeza.

E gjitha kjo ndodhi sepse parku i dikurshëm në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku banorët kishin vetëfinancuar mbjelljen e luleve e druve, u shndërrua në gropë për ujëra të zeza, raporton Kiks Kosova.

Komuna e Prishtinës vendosi ta ndihmojë këtë lagje kur filloi projektin për ndërtimin e parkut.

Kanalizimet dolën në sipërfaqe, duke bërë që shumë biznese të vërshohen nga ujërat e zeza dhe si pasojë, pronarët u detyruan t’ua vënë çelësin lokaleve të tyre.

Përderisa punimet duhej të kontraktoheshin nga Drejtoria e Investimeve Kapitale, ato i mori përsipër Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Se çka po ndodhte me lagjen e tyre, banorët thonë se nuk ishin aspak në dijeni dhe se tashmë banimi këtu është bërë i papërballueshëm nga kundërmimi e mushkonjat.

Piktori i njohur Musa Kalaveshi, i cili del të jetë një qiramarrës tjetër i kësaj lagjeje, thotë se lokalin e ka të zhytur në ujë dhe se që pesë muaj nuk po mund të vazhdojë punën.

Kalaveshi tha se po detyrohet të paguajë qiranë për një lokal, të cilin nuk po mund ta shfrytëzojë. Kjo ngase ai tashmë ka të nënshkruar një kontratë vjetore me pronarin.

Kompania e cila kreu punimet, “Selmans Network”, thotë se kishin një kontratë kornizë për disa pika të projekteve me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe punimet në këtë u detyruan që t’i ndërpresin, pas kërkesës së komunës, meqë, sipas tyre, kishin mospërputhje në strategjitë e tyre.

Sipas tij, dalja në sipërfaqe e ujërave të zeza dhe bllokimi i saj nuk ndodhi nga punimet e realizuara nga ta, por nga vjetërsia e gypave të kanalizimit.

Arnime e jo zgjidhje afatgjate, i vlerëson punëkryesi punimet e Komunës së Prishtinës në rrjetin e kanalizimeve nëpër lagje të ndryshme.

Kiksi insistoi të marrë sqarime nga komuna që udhëhiqet nga Përparim Rama, por këta të fundit nuk iu përgjigjen kërkesave të emisionit.

Problemet me vërshime prej mbylljes së rrjeteve të kanalizimit, Komuna e Prishtinës nuk i ka risi. Ky problem del në sipërfaqe sidomos në ditët me reshje të shiut.

https://youtu.be/i9M7UzSxPGE

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është raportuar për një rast shumë të rrallë që…