Komuna e Prishtinës nuk lejon transmetimin e Botërorit në shesh

13 qershor 2018 | 18:01

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të mos lejojë transmetimin e Kampionatit Botëror “Rusia 2018” në shesh.

Ky transmetim ishte planifikuar të bëhet nga kompania “KD Events”, por asaj i është revokuar pëlqimi nga Komuna. Zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke mos dhënë asnjë sqarim.

Drejtori Ekzekutiv i “KD Events”, Kushtrim Demiri, në një konferencë për media ka thënë se një eveniment të ngjashëm kishin organizuar edhe para dy vjetësh, por kësaj radhe nuk u lejua një gjë e tillë duke mos ditur arsyen e vërtetë të komunës dhe kryetarit të saj, Shpend Ahmeti.

Demiri bëri me dije se kompania që ai drejton ka kryer të gjitha detyrimet dhe ka marrëveshje me transmetuesin publik për transmetimin në shesh të këtij eventi sportiv, ndërsa ka paralajmëruar se kjo çështje nuk do të përfundojë me kaq, pasi moslejimi i transmetimit në shesh bëhet për interesa personale të Komunës së Prishtinës. “Ne do t’i marrim të gjitha hapat ligjorë, t’i shfrytëzojmë thjesht për humbjen që na kanë kushtuar. Por, gjithsesi edhe padia penale, edhe padia civile ndaj të gjithë personave që i kanë shkelur këto, për arsye se qyteti është i Prishtinës, i qytetarëve të saj, jo i kryetarit”, tha Demiri.

“KosovaPress”-i ka kontaktuar edhe me Komunën e Prishtinës, por Zyra për Media nuk ka qenë e gatshme të japë përgjigje. Ndërsa Habib Qorri nga Komuna e Prishtinës, duke mos dashur të flasë para kamerave, deklaroi “se nuk është çështje për të cilën duhet të flasë”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ylli i Brazilit, Ronaldo i thur elozhe adashit të tij…