Konferencë për shtyp (1990) në Komitetin Norvegjez të Helsinkit (KNH)

30 dhjetor 2023 | 18:47

Veprimtaria lobiste dhe diplomatike e LPK-së në vitet 1987-1994 / Kumtesë në kuadër të simpoziumit shkencor, me rastin e shënimit të 40-vjetorit të LPK-së (4)

Shkruan: Fatmir Lekaj, politolog

No description available.

Nufri Lekës, në cilësinë e përgjegjësit të GBKNH-s, nga viti 1988 i jepej mundësia që si delegat nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit (KNH), të takojë nëpër konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, personalitete me influencë politike, ku e shfrytëzonte rastin në maksimum edhe gjatë bisedave joformale, duke i informuar më hollësisht për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi dhe duke dhënë argumente për kërkesën “Kosova Republikë” si zgjidhje kompromisi dhe si zgjidhje që stabilizon politikisht Ballkanin. Rrjedhimisht, përveç të tjerash, prej datës 18 deri më 21 tetor 1990, në cilësinë e delegatit nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit, u ftua të marrë pjesë edhe në mbledhjen themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë, e cila mbledhje ishte e sponsoruar nga një ndër iniciuesit e saj, Vaclav Havel, i cili, gjithashtu sikurse disidenti tjetër çek Jarosllav Shabata, në mënyrë implicite ishin për krijimin e strukturave të reja panevropiane, që nënkuptonte një riorganizim panevropian, duke filluar nëpërmes Asamblesë Qytetare të Helsinkit. Edhe GBKNH e përkrahte këtë ide, ngaqë shpresohej se Kosova do të mund të faktorizohej politikisht nëpërmes konceptit të të drejtave të njeriut, duke u anëtarësuar në një ristrukturim të ri organizativ panevropian në përpjekjet për t’u dekolonizuar nga Serbia në bazë të parimit për vetëvendosje. Por, ideja e sllovenit Tomazh Mastnak përkrahej më shumë, që Asambleja Qytetare e Helsinkit të mbetet një organizatë e asociacioneve të ndryshme joqeveritare të qytetarëve. Në kuadër të kësaj mbledhje, më 20 tetor u mbajt një tribunë e veçantë për Kosovën, Irlandën veriore dhe Transilvaninë, ku përgjegjësi i GBKNH-s, Nufri Lekaj, i bëri një kritikë qasjes që dominonte në diskursin e politikës perëndimore që, duke u thirrur në emër të një Evrope të bashkuar dhe të integruar, njëkohësisht ndërkomunikohej e drejta për vetëvendosje për shqiptarët në Jugosllavi. Rrjedhimisht, shpresën për një Evropë të bashkuar dhe të integruar, që parashihte ta përfshinte edhe Ballkanin dhe që nuk merrte parasysh zgjidhjen e çështjes shqiptare në Jugosllavi, në fjalimin e tij në këtë tribunë, përgjegjësi i GBKNH-s, Nufri Lekaj, e cilësoi si: një eufori utopike që vetëm zëvendëson euforinë utopike të socializmit nga e cila mezi kishim dalë dhe se nuk guxojmë të mashtrohemi prapë, sidomos ne shqiptarët, sepse pa u zgjidhur çështjet e pazgjidhura nacionale në Evropë, në veçanti çështja shqiptare në Jugosllavi, nuk mund të shpresojmë për një Evropë të bashkuar dhe të integruar. I pranishëm ishte edhe delegacioni nga Kosova i kryesuar nga Shkëlzen Maliqi, i cili, në lidhje me këtë mbledhje themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë (duke e përfshirë edhe këtë fjalim të përgjegjësit të GBKNH-s), ka shkruar dhe botuar një shkrim në gazetën “Koha” më 3 nëntor 1990, i cili mund të lexohet në vijim:

No description available.

No description available.

Që nga viti 1988 GBKNH e arriti kuptueshmërinë në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (si organizatë gjysmështetërore), se kërkesa “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi” dhe, kështututje, loboi në vazhdimësi që të kihet kuptueshmëri për këtë kërkesë, edhe në kuadër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe në kuadër të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE-s). Pas zhvillimit të ngjarjeve, kjo kërkesë rezultoi edhe si qëndrim zyrtar i Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Përkatësisht, pas iniciativës dhe insistimit të vazhdueshëm të përgjegjësit të KBKNH-s, në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, por edhe sqarimit të perspektivës politike për çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, në mbledhjen vjetore të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, mbajtur në godinën e parlamentit norvegjez më 19.03.1991, sekretari gjeneral i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Bjørn Catto Funnemark, propozon publikisht, dhe unanimisht aprovohet si një nga pikat e “këshillimit” të politikës së jashtme norvegjeze: “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të drejtave të njeriut në Jugosllavi”. Ky amendamentim nga ana e një organizate gjysmë shtetërore ishte shumë i rëndësishëm për kohën, mbase rasti i parë kur bëhen propozime për zgjidhje politike, dhe një forcim i ndikimit lobist dhe i diplomacisë joformale të Kosovës në Norvegji dhe në përgjithësi në Skandinavi. Në vijim, një shkrim/artikull informativ në lidhje me këtë:

No description available.

Në vazhdën e pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përgjegjësi i GBKNH-s, Nufri Lekaj, merr pjesë edhe në konferencën në Veronë (Itali) prej 17 deri më 20 shtator 1992 e ashtuquajtur “Forumi për Paqe dhe Pajtim në ish-Jugosllavi” ku, përveç të tjerëve, morën pjesë përfaqësues nga Federata e Helsinkit, Asambleja Qytetare e Helsinkit, Jugofax (Londër) dhe nga Instituti për të Drejtat e Njeriut në Oslo. Konferenca u udhëhoq nga një komitet prej 13 personash, në krye me Alexander Langer (anëtar i Parlamentit Evropian dhe president i Grupit Greens/EFFA në Parlamentin Evropian) dhe nga znj. Marijana Grandits nga Austria. Konkretisht, konferenca kishte të bënte me propozimet për gjetjen e zgjidhjes së krizës politike në Jugosllavi. Në këtë konferencë në delegacionin nga Norvegjia, Nufriu ishte së bashku me profesorin e filozofisë, Tore Lindholm. Gjatë kësaj konference, në kuadër të delegacionit skandinav, Nufriu pati rastin të marr pjesë në një darkë joformale me Alexander Langer dhe gjatë një bisede me të, duke menduar se është norvegjez dhe, pasi e kuptoj se ishte shqiptar, u bë kurioz të dijë më shumë për Kosovën, dhe përveç tjerash u argumentua se kërkesa “Kosova Republikë nënkupton zgjidhjen më të mirë të problemeve serioze të të drejtave të njeriut në Jugosllavi”. Konkluzat e Konferencës së Veronës e vitit 1992, u botuan edhe në gazetën zyrtare Appell të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Vlen të theksohet se gazeta zyrtare periodike – vjetore “Appell” e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, e kishte ndikimin e vet në diskursin mediatik norvegjez, njëherësh, disa nga artikujt që shkruheshin në këtë gazetë në lidhje me çështjen e Kosovës, përktheheshin në gjuhën angleze dhe shpërndaheshin në kuadrin e informacionit për Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit, duke e përfshirë edhe Human Rights Watch. Nufriu kontribuonte edhe me kolumne për këtë gazetë, në veçanti në lidhje me situatën në Kosovë. Në njërën nga këto kolumne e vitit 1991, e titulluar Kosova dhe shqiptarët, të harruar nga Evropa, shpreh indinjatën e tij që BE-ja i ka ftuar të gjitha republikat jugosllave në negociatat në Hagë, por ka harruar ta ftojë edhe republikën e shtatë, republikën e Kosovës, ku përveç tjerash shkruan: “…….Duhet ripërsëritur se përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës nuk kanë qenë kurrë të drejtuara për ta shkatërruar Jugosllavinë, por gjithnjë kanë qenë përpjekje për pavarësinë dhe barazinë e shqiptarëve në raport me republikat e tjera. Këto përpjekje u kanë kushtuar shqiptarëve shumë, në veçanti në 10 vjetët e fundit. Disa qindra janë vrarë gjatë demonstratave dhe protestave, qindra të tjerë janë plagosur dhe mijëra të tjerë janë burgosur dhe internuar për veprimtari politike. Përafërsisht 100 000 shqiptarë janë përjashtuar nga vendet e tyre të punës (nga sistemi gjyqësor, administrata, shëndetësia, policia, posta, universiteti, shkollat etj.) për shkak të bindjeve të tyre politike. Tani në këto vende të punës, në vend të shqiptarëve, janë kyçur kolonialistët serbë, të cilët marrin paga të dyfishuara krahasuar me pagat që kishin shqiptarët në këto vende të punës. Rrjedhimisht, Kosova është një “zonë autonome” e okupuar nga një fuqi koloniale me emrin “shteti i Serbisë”. Republikat e tjera në Jugosllavi e kanë ekskluduar Kosovën dhe shqiptarët në përpjekjet për një zgjidhje të konfliktit në Kosovë. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë qëndrim të republikave të tjera jugosllave (të populluara kryesisht me banorë me origjinë sllave) që nënkupton se nuk dëshirojnë t’i pranojnë shqiptarët të jenë të barabartë me popujt e tjerë në një Jugosllavi të re, duke i lënë kështu shqiptarët të mbesin një koloni e Serbisë. Mbas një përpjekje nga ana e Perëndimit, shqiptarët filluan të shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Këshilli i Evropës i ka dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Të njëjtën gjë e ka bërë Kongresi Amerikan, gjithashtu edhe partitë politike dhe organizatat për të drejtat e njeriut. Shqiptarët me udhëheqjen e tyre demokratike dhe “Gandin e shqiptarëve”, dr. Ibrahim Rugovën, kanë krijuar simpati në vijën e tyre politike kundër regjimit shtypës serb. Pavarësisht provokimeve dhe represioneve nga ana serbe, asnjë serb në Kosovë nuk është dëmtuar, plagosur ose vrarë nga shqiptarët. Kjo tregon se me çfarë lloj konflikti kemi të bëjmë: një luftë e pastër çlirimtare me mjete demokratike kundër një pushtuesi kolonialist. Shpresat e shqiptarëve për ndihmë nga Perëndimi

kanë filluar të zbehen. BE-ja i ka ftuar të gjitha republikat jugosllave në negociatat në Hagë, por ka harruar ta ftojë edhe republikën e shtatë, republikën e Kosovës. Pse? A duhet Kosova të sakrifikohet për interesat serbe dhe kroate? A do ta përsëritë Evropa, Londrën dhe marrëveshjen e Versajës për Jugosllavinë, e përsëri t’i sakrifikojë shqiptarët për Serbinë? Ky neglizhim ndaj shqiptarëve në Jugosllavi tregon se BE-ja po e përgatit një marrëveshje të re për Jugosllavinë, që nuk merr parasysh interesat e shqiptarëve. Në Londër dhe Versajë ka qenë më e lehtë për të bërë këtë. Por tani situata është krejtësisht ndryshe në Evropë, ku demokracia dhe liria janë fjalët më të dashura të kombeve të shtypura dhe do të jetë e vështirë për çdo shtet tjetër dhe për BE-në për të luajtur me fatin popujve të shtypur. Në veçanti kur është fjala për shqiptarët, kjo është një lojë e rrezikshme. S’duhet të harrohet se shqiptarët në Jugosllavi janë populli i tretë për nga madhësia demografike (3 milionë) sa e gjithë popullsia në Shqipëri. Nëse vazhdohet të shpërfillen shqiptarët, ata do të detyrohen për atë që ne të gjithë duhet të përpiqemi ta parandalojmë, për një konflikt të armatosur me pushtetin kolonial serb. Një situatë e tillë mund të çojë edhe në ndërhyrjen nga Shqipëria për t’i ndaluar krimet e luftës ndaj shqiptarëve në Kosovë (çfarë teknologjie ushtarake ka Serbia tregohet edhe nëpërmes eksportit të armëve të Serbisë në Irak). Është e qartë se nuk dëshirojmë të ndodhë një zhvillim i tillë në Ballkan. Prandaj është shumë e rëndësishme për të gjitha palët në tryezën e bisedimeve të mos i harrojnë shqiptarët të cilët kanë vullnet për bashkëpunim dhe duan të marrin pjesë në negociata…..” Gjithashtu, në këtë vazhdë, në kuadër të shkrimeve për gazetën zyrtare “Appell” të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Nufriu në shkrimin e tij në numrin 1 të vitit 1993, të gazetës Appell, shpreh indinjatën për shpërfilljen e faktorit politik shqiptar në kuadër të procesit të njohjes së Maqedonisë, në lidhje me këtë në këtë shkrim të tij të titulluar: Maqedonia drejt njohjes, por çka me shqiptarët?, përveç tjerash shkruan: “….Një Maqedoni e cila nuk respekton shqiptarët dhe të drejtat e tyre nuk do të jetë vetëm një shtet i brishtë, por ndoshta edhe një vend konflikti i ngjashëm me atë në Kroaci dhe Bosnjë. Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në përgjithësi duhet t’u bëjnë presion pushtetarëve maqedonas për t’i respektuar shqiptarët dhe t’i bëhet presion Greqisë për ta pranuar shtetin me emrin Maqedoni.”
Rrjedhimisht si orientim më konkret në lidhje me këtë, në vijim janë të faqosura tri faksimile, nga gazeta zyrtare Appell e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, përkatësisht kopja e shkrimit të sipërcekur të Nufriut për këtë gazetë, i titulluar Kosova dhe shqiptarët, të harruar nga Evropa, më tutje është kopja e kësaj gazete në lidhje me Konkluzat e Konferencës së Veronës e vitit 1992, dhe më tutje është shkrimi tjetër i sipërcekur i Nufriut për këtë gazetë, i titulluar Maqedonia drejt njohjes, por çka me shqiptarët?:

No description available.

No description available.

No description available.

Fusnotat i ka hequr redaksia / Vijon

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth orë 17:50 në magjistralen Prishtinë-Pejë ka ndodhur një aksident…