Konjufca e Ahmeti, me mision pajtimi në Vetëvendosje

20 janar 2018 | 18:17

Deputeti Glauk Konjufca dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, janë përzgjedhur nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje për të negociuar ndërmjet dy ‘grupeve’ brenda Lëvizjes, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje për problemet dhe ndasitë që e kanë përfshirë këtë subjekt politik.

Zyrtarët nga Vetëvendosje, thonë për “Radion Evropa e Lirë” se mospajtimet e brendshme, janë duke i trajtuar dhe, siç thonë ata, për to ka zgjidhje.

Glauk Konjufca ka theksuar se përmes diskutimeve dhe shtrimit të problemeve brenda forumeve, atij të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të Grupi Parlamentar, po shqyrtohen mundësitë e gjetjes së një zgjidhje të kënaqshme, për atë se si do të duket Vetëvendosje në të ardhmen.

“Figurat më të rëndësishme janë të kyçura në këtë proces që të mund të krijohet një lloj përafrimi i qëndrimeve sa i përket grupeve të ndryshme se si e shohin të ardhmen dhe rrugëtimin e Vetëvendosjes. Unë, nga fillimi e kam pasur këtë rol, po ashtu edhe Shpend Ahmeti, që të mund të krijohet një hapësirë e përbashkët veprimi dhe që të mund të arrijmë një marrëveshje brenda Vetëvendosjes, lidhur me gjërat bazike që janë të rëndësishme për Lëvizjen”, ka deklaruar Konjufca.

Sipas tij, problemi, në të cilin gjendet tash për tash Lëvizja Vetëvendosje, është i zgjidhshëm dhe gjërat mund të shkojnë përpara në aspektin pozitiv.

“Ky problem është i kalueshëm, sipas mendimit tim. Kam dëgjuar të gjithë ata që kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Do të vazhdoj të takohem me ta edhe në ditët në vazhdim, me qëllim që kur ta kuptojmë edhe më hollësisht atë çka po e paraqesin grupi i të pakënaqurve, në mënyrë që të kemi mundësi për të krijuar një raport të saktë lidhur me qëndrimet e tyre dhe një zgjidhje se çfarë drejtimi duhet të marrim dhe ata të ndihen komod”, është shprehur Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akil Gjakova ka humbur në finale nga xhudisti nga Kazakistani,…