Konjufca: Na priftë e mbara në punët që na presin

22 mars 2021 | 11:56

Kryetari i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pasi është ulur në karrigen e kryeparlamentarit ka falënderuar deputetët që votuan për zgjedhjen e tij në këtë detyrë.

Ai gjithashtu ka falënderuar për prezencën edhe ambasadorët e akredituar në vendin tonë dhe mysafirët tjerë të pranishëm në këtë seancë.

Konjufca para se ta mbyllë këtë seancë ka uruar që Kosovën ta prijë e mbara në punët që e presin, raporton “Epoka e re”.

“Na priftë e mbara në punët që na presin. Dhe po e shpalli të mbyllur këtë seancë. Për seancën e qeverisë do t’ju lajmërojmë me kohë”, ka thënë Konjufca.

Me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi më pas ka zgjedhur edhe tre nënkryetarët nga partitë me shumicë shqiptare: Saranda Bogujevcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarët e rinj, nga partitë me shumicë shqiptare, janë zgjedhur me 107 vota për dhe gjashtë vota kundër.
Nga komuniteti serb, nënkryetar është zgjedhur Sllavko Simiq, derisa nënkryetar i pakicës joserbe është zgjedhur deputeti Bekim Arifi.

Konstituimi i Kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jennifer Lopez duket se ka goditur sërish, por i fejuari…