Konjufca: Të rënët shkruan historinë me pushkë dhe sakrificë

30 prill 2021 | 19:06

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot bëri homazhe dhe vendosi lule pranë kompleksit memorial në Vërboc dhe Shtuticë të Drenasit, në nderim të mbi 170 shqiptarëve të vrarë e masakruar nga forcat ushtarake e policore serbe.

Gjatë homazheve, i pari i Kuvendit, takoi disa prej familjarëve të të rënëve dhe u shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e dhënë dhe për sakrificën që ata bënë për lirinë që ne e gëzojmë sot.

Kryekuvendari Konjufca, ndër të tjera, tha se është obligim i të gjithëve që të rikujtohet dhe të mos harrohen këto ngjarje, sepse, siç tha ai, gjaku i derdhur i heronjve qëndron në themelet e shtetit të Kosovës.

Ai po ashtu ritheksoi se institucionet tona duhet të angazhohen e të kërkojnë drejtësi, si dhe personat të cilët i kanë kryer këto krime lufte të vihen në bankën e drejtësisë.

 Më pas, kryekuvendari Konjufca vazhdoi për vizitë në Kullën e heroit Ilaz Kodra në Prekaz, në të cilën takoi familjarë dhe bashkëluftëtarë të heroit.

Duke iu adresuar atyre, Konjufca ka theksuar se Ilaz Kodra bashkë me të rënët e tjerë e kanë shkruar historinë me pushkë e me shumë sakrificë.

“Ndjenja e krenarisë duhet ta tejkalojë pikëllimin të cilin e ndjen secili prej nesh. Është një jetë e tërë e lavdishme që ia keni dhënë kombit shqiptar, prandaj të gjithë duhet të përkulemi para veprave të të rënëve, për sa të jemi gjallë”, ka thënë Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpallja e vendimit përfundimtar për ish-udhëheqësin ushtarak të serbëve të…