Konstituohet Grupi i Miqësisë Kosovë – Gjermani

30 qershor 2022 | 14:20

Të enjten është bërë konstituimi i Grupit të Miqësisë Kosovë – Gjermani, i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Deputeti Elmi Reçica ka thënë se ky Grup i Miqësisë me Gjermaninë është i veçantë duke qenë se bëhet fjalë për një shtet në të cilin mërgata jonë jeton dhe vepron për dekada me radhë.

“Bëhet fjalë për rreth 400,000 shqiptarë të Kosovës që me mundin dhe djersën e tyre përveç që kanë mbajtur familjet e tyre në Kosovë, në të njëjtën kohë kanë kontribuar në çlirimin, shtet ndërtimin dhe zhvillimin e atdheut të tyre, Kosovës. Me këtë rast, falënderova ambasadorin për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm dhe të vlefshëm të Republikës Federale të Gjermanisë në etablimin e Kosovës në planin ndërkombëtar, ku deputetët gjermanë kanë një rol të rëndësishëm edhe në Parlamentin evropian, por edhe në zhvillimin shumëdimenzional të Kosovës përbrenda”, ka thënë Reçica.

Ai gjithashtu ka vlerësuar bashkëpunimin bilateral në të gjitha fushat, që nga ekonomia deri te siguria.

“Në të njëjtën kohë, në kuadër të zhvillimeve të reja ndërkombëtare, agresioni ushtarak i Rusisë kundër një shteti të pavarur, Ukrainës, shtrova nevojën për intensifikimin dhe dinamizimin e mbështetjes së shtetit gjerman në procesin e integrimeve euro atlantike, e veçanërisht anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe përafrimin në NATO përmes Programit të Partneritetit për Paqe, si dhe angazhimin e shtetit gjerman për njohjen e pesë shteteve të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës”, ka thënë deputeti Reçica.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak,…