Lajçaku nga Beogradi e komenton vendimin e Kurtit për targat dhe letërnjoftimet

30 qershor 2022 | 14:18

Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka komentuar vendimin e Qeverisë Kurti që deri më 30 shtator të gjithë automjetet me tabela të Serbisë t’i regjistrojnë targat “RKS” dhe fletëdeklarimet për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë.

Lajçaku para gazetarëve në Beograd, ku gjendet për vizitë, ka thënë se vendimi i qeverisë ka ndërruar temat dhe planet e tij të vizitës raporton “N1”.

“Ne patëm një bisedë serioze mbrëmë për situatën dhe natyrisht duhet të shikojmë për zgjidhje përmes dialogut dhe jo konfrontimit. Erdha në rajon për të përgatitur për takimin e ardhshëm të liderëve dhe për biseduar për progresin në normalizimin e marrëdhënieve, tani duhet ta zgjidhim situatën e krijuar. S’duhet të lejojmë të ketë krizë”, ka thënë ai.

Lajçaku s’ka dashur të komentojë deklaratat e Vuçiqit se Kosova po planifikon një “stuhi” të re në veri për të dëbuar serbët.

Qeveria e Kosovës dje ka miratuar vendimin që veturat me targa të autoriteteve të Serbisë të regjistrohen me “RKS” dhe për këtë kanë vendosur afatin kohor nga 1 gushti deri më 30 shtator.

Në deklaratën e Qeverisë së Kosovës të lëshuar më 29 qershor është sqaruar se ri regjistrimi i këtyre veturave do të fillojë më 1 gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator.

“Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, ka njoftuar qeveria Kurti.

Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra e Kombëtares së Kosovës, Marigona Hajdari, po bën karrierë…