Kos: Shqipëria mund ta përmbyllë procesin e negociatave për anëtarësim në BE deri në vitin 2030

27 nëntor 2026 | 15:14

Shqipëria mund ta përmbyllë procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ky ishte mesazhi i komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë samitit të zhvilluar në Tiranë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua për ecurinë e vendeve të rajonit drejt integrimit evropian dhe përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja.

Kos vlerësoi progresin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, të cilat sipas saj kanë përfituar më shumë fonde nga Plani i Rritjes, si rezultat i përmbushjes së detyrimeve dhe reformave të përcaktuara.

Ajo theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian do të jetë e hapur për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, por përparimi do të vlerësohet në bazë të meritave dhe rezultateve konkrete.

Komisionerja europiane u ndal edhe te perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë, duke deklaruar se vendi mund të nënshkruajë traktatin e anëtarësimit në vitin 2028.

Megjithatë, ajo theksoi se përmbushja e reformave dhe vijimi i progresit mbeten vendimtare për realizimin e këtij objektivi.

“Sa i përket udhërrëfyesve që ne kemi ofruar dhe në raportin e sivjetshëm, ne kemi thënë, që Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt për negociata në qoftë se do të ketë rezultate të reformave dhe sigurisht dhe në rast se shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë dhe në qoftë se ndodhin këto gjëra, rreth kësaj kohe ne mund të jemi shumë pranë fundit të negociatave. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që hapi i mëtejshëm do të jetë që rreth gjysma e kapitujve të mbyllur, do të thotë që shtetet anëtare do të krijojnë grupin e punës për traktatin e anëtarësimit, i cili, po flas që në qoftë se gjithçka ecën siç duhet, mund të nënshkruhet në 2028-n, që do të thotë, varet nga procesi i ratifikimit, vizioni i qeverisë tuaj edhe i qytetarëve në rast se e kam kuptuar siç duhet. Pra, Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”, ka thënë Kos.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në BE, por nënvizoi se procesi nuk varet vetëm nga puna e vendit tonë, pasi vendimi përfundimtar kërkon dakordësinë e të 27 shteteve anëtare.

Në vijim, Kos vlerësoi edhe përparimin e Shqipërisë në fushën e drejtësisë, duke e cilësuar sundimin e ligjit si një nga elementet më të rëndësishme të procesit të integrimit.

Ajo theksoi se është bërë një punë e madhe në këtë drejtim, por tashmë sfida kryesore mbetet zbatimi i reformave në praktikë dhe garantimi i rezultateve konkrete.

Në konferencën përmbyllëse të samitit, kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria shqiptare nuk kërkon favore apo dhurata nga Bashkimi Evropian, por synon të përmbushë të gjitha detyrimet e përcaktuara në procesin e negociatave.

“Ne nuk kërkojmë dhurata, duam maksimumin e detyrave”, deklaroi Rama, duke theksuar se të gjitha kërkesat e BE-së do të përmbushen pikë për pikë. Sipas tij, këto reforma nuk bëhen thjesht sepse i kërkon Bashkimi evropian, por sepse janë të domosdoshme për të ardhmen e vendit.

Kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë me të njëjtin ritëm punën për përmbushjen e kushteve, ndërsa vlerësoi se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm të rrugëtimit të tij evropian.

Samiti në Tiranë u përqendrua te rezultatet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përshpejtimi i reformave dhe perspektiva e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në…