Kosova bëhet me kryefilozof

21 mars 2024 | 17:18

Ridvan Emini është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, ndërsa Taulant Gashi nënkryetar. Emini e Gashi janë zgjedhur për të qeverisur me këtë shoqatë në një mandat tre vjeçar

Shoqata e Filozofëve të Kosovës në mbledhjen  e saj konstituive të kryesisë së re ka votuar kryetarin dhe nënkryetarin e ShFK-së.

Me 8 vota pro nga 9 anëtarë sa ishin të pranishëm në mbledhje, Ridvan Emini u zgjodh kryetar i ri i ShFK. Me votë unanime, Taulant Gashi është zgjedhur nënkryetar i ri i ShFK.

“Na lejoni që t’iu njoftojmë se ShFK ka mbajtur mbledhjen konstituive të kryesisë së re. Në mbledhje ishin të pranishëm nëntë nga trembëdhjetë anëtarët/et e zgjedhur të ShFK-së. Në këtë mbledhje sipas rendit të ditës janë propozuar dhe votuar kryetari dhe nënkryetari i ShFK-së. I propozuar për pozitën e kryetarit të ShFK-së ishte Ridvan Emini, ndërsa për pozitën e nënkryetarit të ShFK-së, Taulant Gashi”, thuhet në njoftimin e ShFK-së.

Kryetari i ri i ShFK, Ridvan Emini ka bërë të ditur se do të njoftojë kryesinë brenda javës për sekretarin/en që do të emërohet për këtë mandat.

Ditë më parë pas një procesi zgjedhor të anëtarësisë janë zgjedhur anëtarët e ri të kryesisë së ShFK-së.

Kujtojmë se Emini është ndër themeluesit e ShFK-së. Ai ka qenë nënkryetar i saj për dy mandate dhe së fundmi anëtarë i kryesisë.

Shoqata e Filozofëve të Kosovës ishte themeluar më 2014 dhe pas dy vitesh aktivitet ishte anëtarësuar në Federatën Botërore të Filozofisë(FISP).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora nuk heziton asnjëherë të kujtojë dhe të përmend…