Kosova bëhet pjesë e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë

09 prill 2021 | 11:55

Kosova është bërë pjesë e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë ku pasqyrohet gjendja reale e ambientit të të bërit biznes.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) e ka konsideruar këtë një sukses, duke theksuar se është arritur në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP).

“Si partner institucional i Forumit Ekonomik Botëror OEMVP, inicioi procedurën e përfshirjes së Republikës së Kosovës në këtë raport të Indeksit Global të Konkurrueshmërisë. Oda e Afarizmit të Kosovës, si partner strategjik i OEMVP-së, për Republikën e Kosovës do të realizojë anketën me drejtorët ekzekutiv të kompanive, si pjesë përbërëse e raportit. OEMVP-ja, fillimisht do të jetë ndërmjetësues mes OAK-së dhe Forumit Ekonomik Botëror në realizimin e anketave dhe aktiviteteve të nevojshme për këtë raport. Bashkëpunimi i ndërsjellë mes OAK-së dhe OEMVP-së, në rastin konkret, dëshmoi që me profesionalizëm dhe angazhim maksimal mund të arrihet një sukses i madh si ky”, ka njoftuar OAK-u.

OAK-u ka deklaruar se përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të komunitetit afarist shfaqet si një nga aspektet kyçe të sistemit ekoafarist, ndërsa krijimi i ambientit të të bërit biznes si parakusht i zhvillimit ekonomik të vendit.

“Raporti në fjalë paraqet një udhërrëfyes për definimin e politikave ekonomike zhvillimore për të dy shtetet tona. Në këtë mënyrë Odat që ne përfaqësojmë japin një kontribut të jashtëzakonshëm për sjelljen e këtij raporti që mund të paraqet bazat e definimit të politikave makro-ekonomike dhe legjislacionit të nevojshëm për bizneset”, është thënë në këtë njoftim.

Forumi Ekonomik Botëror i cili përgatit raportin e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë siguron të dhëna relevante dhe bën vlerësimin e konkurrueshmërisë, produktivitetit si dhe prosperitetit të shteteve.

Ai është i ndarë në 12 shtylla dhe deri më sot ka numëruar 141 shtete pjesëmarrëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës dega në Prizren, përmes kryetarit të…