Kosova dhe NATO bashkëluftëtarë në rrugën e bërjes së kombit shqiptarë

09 qershor 2023 | 23:12

Fjalë rasti e mbajtur nga Gjenerali në pension, Kudusi Lama në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 dhe të çlirimit të Kosovës më 1999, mbajtur në Vjenë, më 9 qershor 2023.

Mirëmbrëma të gjithëve,

Është privilegj për mua, të jem këtu në mesin tuaj dhe të marr fjalën në këtë veprimtari festive dhe përkujtimore në nderim të përbërësve të historisë dhe të lavdisë së kombit shqiptar.

Duket sikur datat historike të kombit tonë mbështeten në gjoksin e njëra tjetrës.

Ashtu edhe 10 e 12 qershori duket sikur i japin forcë njëra tjetrës e na ftojnë të hedhim shikimin mbi ato faqe të historisë kombëtare që kanë përcaktuar kahen e ecjes së kombit tonë nëpër kohë.

10 qershori do të mbahet mend historikisht si dita kur burrat shqiptar, u mblodhën në Prizren për ta bërë Shqipërinë, duke dalë përballë gjithë politikës dhe fuqisë së madhe të botës, për të mos lejuar të zhduket kombi ynë e historia e tij e lavdishme.

Ndërsa 12 qershori vjen me çlirimin e Kosovës, një treve shqiptare të mbajtura për një shekull nën pushtimin sllav. E kjo ditë erdhi pas një lufte të madhe të shqiptarëve për ta fituar lirinë, të organizuar e rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ushtri e cila me luftën e saj, arriti të marrë me vete si bashkëluftëtare gjithë botën moderne dhe NATOnforcën më të madhe politike e ushtarake të kohës.

Dhe të marrësh me vete NATO-n si bashkëluftëtare për të çliruar atdheun tënd dhe popullin tënd nga pushtimi, kjo në atë kohë për shumë nga aktorët konsiderohej e pa mundur qoftë edhe nga fuqi me zë, jo më nga një ushtri, që deri dje në radhë të parë në Tiranë e në Prishtinë, e quanin një organizatë e panjohur, një grup njerëzish të paditur, njerëz të pa shkolluar, njerëz që nuk ishin gjë tjetër veçse dorë e zgjatur e Serbisë, që ishin me ide komuniste e do të krijonin një Kubë në Ballkan, që ishin me pikëpamje islamike, që ishin terroristë, që ishin të pa përgjegjshëm etj. Por burrat dhe gratë e Kosovës të cilët kishin marrë përgjegjësitë të luftonin për çlirim dhe që kishin një vizion të qartë, nuk u ligështuan nga këto etiketime. Ata vijuan luftën dhe arritën fitoren duke u bërë Kosova dhe NATO-jabashkëluftëtarë në rrugën e bërjes së kombit shqiptarë. Në atë rrugë që ishte filluar në atë Prizren më 10 qershor të vitit 1878. U bënë pra pjesë të një vepre të madhe njerëzore forcat më të përparuara e moderne të kohës, por ishin njerëzit tanë të vendosur, prandaj erdhën edhe ata. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Operacioni i pa imagjinueshëm i Jugosllavisë dhe Serbisë kundër Prekazit dhe qëndresa e pashembullt e Jasharajve, që hodhi bazat e masivizimit të shpejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një faqe historie e pa përsëritshme. Në atë operacion morën pjesë 8 mijë trupa ushtarake dhe policore të pushtuesit. Të cilët krijuan dy rrethime. Një rrethim të brendshëm me 4 mijë forca dhe një rrethim të jashtëm me 4 mijë forca të tjera. Rrethimi i jashtëm kishte për qëllim të mos lejonte që formacione të UÇK-së të mund të depërtonin në Prekaz. Kurse rrethimi i brendshëm do të luftonte kundër forcave të rrethuara brenda në Prekaz.

Po sa forca ishin të rrethuar në Prekaz?

Jo më shumë se 60 veta, të gjitha moshave, burra e gra, djem e vajza dhe fëmijë. 60 përballë 4 mijë, raporti është 67 ushtar e polic të pushtuesit, përballë një luftëtari të UÇK-së pavarësisht ishte luftëtar, ishte plak a fëmijë.

Dhe ky operacion zgjati 3 ditë. Është operacioni me raportin më të jashtëzakonshëm në historinë botërore, nuk njihet një tjetër i tillë.

Për 3 ditë kanë rënë perandori. E 3 ditë bëri rezistencë Prekazi, luftuan Jasharajt, bënë historinë e qëndresës si askush tjetër. Adem Jashari bëri epokën e tij. Jasharajt bënë që shqiptarët t’i thërrasin mendjes e të vrapojnë të kapin pushkën, të rreshtohen në radhët e UÇK-së, e cila kishte marrë e ngritur lartë flamurin e luftës për liri.

U bë luftë e përgjakshme, u bënë qëndresa të mahnitshme. U masivizua ushtria më e disiplinuar në botë. Ajo ushtri që e kishte shumë të qartë rrugën nga po shkonte dhe detyrat që kishte mbi vete për t’i kryer.

Me luftën e saj, me qëndresën, me sakrificën, UÇK-ja u bë qytetare e botës moderne. Nuk e deshi bota, nuk u dashurua bota pas UÇK-së, por ajo i mbylli të gjitha rrugët e shmangies dhe të akuzës, për veprën e saj. U bënë edhe përpjekje për ta akuzuar ndërkombëtarisht, por mençuria e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, mençuria e të gjithë hierarkisë së komandantëve dhe të gjithë luftëtarëve, bëri që bota të kuptojë se vija politike e ndjekur prej saj deri në atë kohë ishte e gabuar. Prandaj edhe u kthye, njohu drejtësinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës, njohu sakrificat, njohu vizionin dhe synimet e UÇK-së. U pajtua dhe i pranoi ato. Dhe mori armët e erdhi në luftë bashkë me UÇK-në për të çliruar përfundimisht Kosovën nga pushtimi njëshekullor serb.

I jemi mirënjohës SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s për atë vepër njerëzore, logjike dhe qytetare që bënë duke u bërë bashkëluftëtarët tanë për liri.

Ju kujtoj se qëndrestari i kombit shqiptar Adem Demaçi ka thënë: ”Unë e dua veten, i dua edhe të tjerët, prandaj edhe të tjerët më duan mua; Unë e nderoj veten, i nderoj edhe të tjerët, prandaj edhe të tjerët më nderojnë mua; Unë i besoj vetes, u besoj edhe të tjerëve, prandaj edhe të tjerët më besojnë mua”. Kurrë të mos e harrojmë këtë thënie të madhe, sepse pa këtë parim nuk kemi e nuk do të kemi kurrë personalitet.

E citova këtë thënie të Demaçit të madh, sepse duhet të bëhen vlerësime të sakta e të dinjitetshme kur është fjala për vetveten. Nuk është normale, të arrihet sot deri në ato nivele, që të përkujtojmë thjeshtë masakrat që kanë bërë serbët nëpër fshatrat shqiptare, por të mos përkujtojmë operacionet fitimtare të UÇK-së; është e pa pranueshme të përkujtojmë shpërnguljen e qytetarëve të Kosovës nën presionin masakrues të pushtuesit, e të mos përkujtojmë aktet vetëmohuese të njësive të UÇK-së përballë forcave të pushtuesit.

Ne duhet të kemi të qartë se Jugosllavia e kohës dhe Serbia në vitet e Luftës Çlirimtare në Kosovë sollën mbi 70 mijë trupa ushtarake; 12 deri 20 mijë trupa policore; 8 mijë trupa paramilitare, 5 mijë trupa vullnetare e kriminale të liruara edhe nga burgjet, si dhe 63 mijë trupa territoriale të armatosur me të gjitha armët të organizuara me serbët qytetarë të Kosovës. Kjo trupë në total arrin në 158 deri në 166 mijë trupa të armatosura luftarake përballë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nëse nuk e kemi parasysh këtë ballafaqim mund të flasim si të duam. Mund të themi që ishim çliruar edhe me nja 10 mijë a 20 mijë mercenarë, siç edhe është thënë me papërgjegjshmëri.

Prandaj duhet të festojmë se kemi të drejtë të festojmë, duhet të përkujtojmë se kemi çfarë përkujtojmë, por edhe duhet të mbajmë në vëmendje, se edhe sot, 24 vjet pas çlirimit, Kosova është i vetmi shtet në botë që nuk ka obelisk të lirisë. Gjithë shtetet e botës kur vijnë delegacione për vizitë dërgohen për të bërë homazhe e vendosur një kurorë me lule tek obelisku i lirisë. Ndërsa ne ku t’i dërgojmë të bëjnë homazhe? Sepse akoma nuk kemi vendosur përfundimisht kujt të ia japim primatin e sjellësit të lirisë. A thua se liria ishte një kuletë pushteti.

Jo, të dashur bashkëkombas, liria është shenjtëri dhe kush sjellë lirinë është i shenjtë. E këtë liri që e gëzojmë sot, na e solli Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtu ju lus të mos bëni lëshime se kush bën lëshime gabon. NATO-ja ishte në luftë bashkë me ne në Kosovë. Ajo ishte forca ajrore e një force tokësore që quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtë siç thotë shqiptari i moçëm nuk e luan as topi, kush nuk është i kthjelltë bën mirë të kthjellohet.

Prasidenti i SHBA-ve Bill Klinton që në vizitën e tij të parë në Kosovë ka thënë: ”Kosova meriton të jetë në Unionin Evropian, në NATO si vend i pavarur. Por ne nuk harrojmë kurrë as faktin që mbështetja e SHBA-ve ka qenë jetike për lirinë tonë e do të jetë edhe për të ardhmen e historisë së sukseseve të Kosovës.

Por Kosova dhe gjithë shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të harrojnë se kemi ardhur nëpërmjet një politikë apartheidi që pushtuesi kishte instaluar në jetën dhe të ardhmen tonë, me qëllim ndryshimin përfundimtar të përbërjes etnike të trojeve të pushtuara.

A mund të pretendojë Bashkësia Ndërkombëtare se bëri diçka për t’i shpëtuar shqiptarët para vitit 1999? Ju them unë, siç thonë edhe analistët e saj, se ajo dështoi plotësisht, duke e quajtur të paqenë çështjen e shqiptarëve nën Jugosllavi. As lëvizjes së rezistencës paqësore, që u krijua pas vitit 1990 në Kosovë, nuk iu ofrua mbështetje e nevojshme. Vendimi për ta përjashtuar çështjen e Kosovës nga negociatat e Dejtonit, si dhe mungesa e rezultateve nga strategjia paqësore, bëri që shumë shqiptarë të Kosovës të vijnë në përfundimin që lufta e armatosur ishte mënyra e vetme për ta tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Dhe është pikërisht kjo koha kur në skenë doli UÇK-ja.

Ndërsa fuqitë ushtarake, policore, paramilitare, kriminale e territoriale jugosllave e serbe megjithëse superiorë në forca, në mjete, armë e municione, duke mos mundur të qëndrojnë përballë forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjithë mizorinë e tyre e drejtonin kundër qytetarëve të pa armatosur shqiptarë duke i përndjekur e masakruar nëpër shtëpitë e tyre, duke e kthyer synimin e tyre në një luftë për pastrim etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre. Gjatë vitit 1998 me shumë se 400.000 njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Ndërsa në periudhën nga 24 marsi e deri më 19 qershor të vitit 1999, u vranë mbi 14 mijë civilë, sipas vlerësimeve ndërkombëtare, të gjithë shqiptarë të Kosovës të vrarë nga forcat e Republikës Federative të Jugosllavisë. Rreth 900.000 civilë u detyruan në mënyrë të dhunshme lënë Kosovën, ndërkaq 590.000 të tjerë ishin të zhvendosur përbrenda Kosovës. Prej nga shihet se shpërngulja shkon në 75 përqind të shqiptarëve, me synimin për ta ndryshuar plotësisht raportin demografik të Kosovës në interes të Serbisë.

NATO-ja duke ardhur në Kosovë, për t’u bërë forcë ajrore e UÇK-së për çlirim, bëri veprimin më legjitim, pasi vlerësohet se ndërhyrja ishte e justifikueshme, meqë ishin shpenzuar që të gjitha mundësitë diplomatike. NATO-ja pra, i dërgoi për herë të parë forcat e armatosura në një luftë. E me këtë përjetësoj ekzistencën e saj, pasi mësoj se si mund të jetë e nevojshme dhe e efektshme në jetën e shoqërisë njerëzore pas fshirjes së blloqeve kundërshtare.

Ashtu sikurse nuk duhet harruar, se ishin shqiptarët në diasporë ata që u bënë pjesa më radikale e komunitetit shqiptar të Kosovës, dhe se ishin ata të cilët kanë rol të madh në krijimin dhe fuqizimin e UÇK-së. Dhe kjo sepse diaspora u bë strehë e të gjithë atyre që organizoheshin për të vijuar luftën dhe u bë njëkohësisht burim furnizimi për këtë ushtri dhe luftën e saj.Sepse, sa herë goditeshin organizimet e brendshme, merrnin fuqinë organizimet jashtë. Siç ka ndodhur në mjaft periudha me Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila ishte djepi që përkundi UÇK-në, që e ushqeu dhe e rriti për ta bërë trimëreshën më të madhe të gjitha kohërave. Në atë djep u përkund edhe Ushtria Çlirimtare Preshevë – MetvegjëBujanoc, ashtu edhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare, nëpërmjet të cilave u arrit që shqiptarët të kenë prej këtej kahen e rritjes dhe fuqizimit, si dhe të bëhen miq me popujt e shtetet më të zhvilluara e më demokratike të botës, siç janë SHBA-të dhe Bashkimi Europian.

Duhet kuptuar se UÇK-ja ishte një ushtri, e cila u ngrit në një terren të pushtuar, me trupa të pa stërvitura ushtarakisht, me armë e municione të transportuara nëpër male me krah. Dhe kjo ushtri pati guximin të vihej përballë fuqisë ushtarake e policore të Jugosllavisë dhe të Serbisë, që përveç forcave të afta profesionalisht e të provuara nëpër luftëra në Kroaci e në Bosnje, kishte armatim e municion pa kufizim, kishte tanke e avionë, topa e autoblinda dhe të gjitha i prodhonte vetë në industrinë e saj ushtarake. Dhe kjo pasqyrë ishte kur diplomacia ndërkombëtare hidhte ide për të vendosur embargo kundër Jugosllavisë dhe UÇK-së. Kuptoni se për kë mendohej e planëzohej kjo embargo, kur forca e fuqishme – Jugosllavia e Serbia i prodhonte vetë armët e UÇK-ja i sillte me krah me sakrifica duke i transportuar nëpër gjithë vendet e botës për t’i sjellë në frontin e luftës.

Dhe shkohej deri atje, sa të kërkohej llogari e të bëhej presion, përse stërviten, organizohen e armatosen luftëtarët e UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ku duhet të shkonin ata trupa përveç se në ato hapësira të Shqipërisë pranë kufirit me Kosovën?

Në atë kohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vlerësonte, se: Sulmet e fundit nga ana e njësiteve paraushtarake të shqiptarëve të Kosovës (kupto UÇK – KL) e dëshmuan gatishmërinë, aftësinë dhe synimin për të përfituar nga tërheqja e pjesshme e policisë dhe e formacioneve ushtarake. Njoftimet për armë të reja, municion dhe pajisje, e tregojnë se aftësia e këtyre njësive për ta mbrojtur vetveten është ende mjaft e lartë. “Këto janë zhvillime shqetësuese”. Pra, unë personalisht nuk kam si të kem nderim për OKB-në, që dëshironte asgjësimin e UÇK-së dhe konsideronte shqetësim fuqizimin e saj, vetëm pse nuk dëshironin të pranonin se lufta e UÇK-së tashmë ishte kthyer në një luftë të përgjithshme qytetare të shqiptarëve, e paracaktuar që të vazhdonte edhe më tutje, dhe madje edhe që të intensifikohej edhe me tepër, nëse nuk do të merrte përmasat e mëdha të luftës ndërkombëtare me bërjen e NATO-s forcë ajrore e UÇK-së.

Fushata ajrore e NATO-s kundër Jugosllavisë u zhvillua nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999. Gjatë kësaj fushate aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s, bënë 38.400 fluturime. Në këtë fushatë, SHBA-të bënë mbi 60% numrit tërësishëm fluturimeve dhe mbi 80% numrit tërësishëm goditjeve. SHBA-të po ashtu e kishin rolin dominues në realizimin e aspekteve më moderne të fushatës ajrore, deri në përfundimin e luftës.

Por njëkohësisht është pranuar nga komisionet ndërkombëtare të vlerësimit të asaj kohe, se sidoqoftë, ishte strategjia “ndërkombëtarizuese” e UÇK-së ajo e cila e nxiti ndërhyrjen ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja, dhe jo kompromisi diplomatik, dhe kjo strategji çonte me gjasë më të madhe drejt pavarësisë e jo kah ndonjë autonomi e tipit të para 1989-tës, siç pretendohej.

Ashtu sikurse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk i kushtoi vëmendjen e nevojshme çështjes së Kosovës deri në vitin 1998, kur tashmë kishte ardhur deri te përshpejtimi në shkallëzimin e luftës së armatosur të UÇK-së. E ç’është më e rëndësishmja, me rezolutë kërkonte të vihej embargo në armatim për RFJ-në dhe për UÇK-në, si dhe të “parandalohej armatosja dhe trajnimi i aktiviteteve terroriste” nga të gjitha shtetet. Qëndrime që nuk e nderojnë OKB-në.

OKB-ja nuk i dha përkrahje UÇK-së si lëvizje çlirimtare, dhe as kërkesës së gjerë për pavarësi të Kosovës, por kjo, po ashtu, nuk e ndërmori asnjë hap për ta penguar përkrahjen ndërkombëtare për kryengritje dhe këtë le ta quajmë një veprim të mbarë pavarësisht se ishte thjeshtë pamundësi e saj për të vepruar ndryshe.

Në vlerësimin e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe UÇK-së, mund të them se vetëm SHBA-të nuk gabuan, megjithëse edhe ata e korrigjuan veprimtarinë e tyre me vonesë. Ata fillimisht e shikuan UÇK-në si një trajtë të trysnisë e cila do ta detyronte Millosheviçin për ta arritur ndonjë zgjidhje, sepse, në të kundërtën do të duhej të ballafaqohej me një sfidë edhe më të fuqishme të kryengritjes kundër sovranitetit të Jugosllavisë. Megjithatë Perëndimi prej janarit të vitit 1998 deri në shkurt të vitit 1999, nëntë herë i dha leje Milosheviçit të vendosë qetësi në Kosovë. Pra të mos kishte më krisma armësh. Në të njëjtën kohë, duket qartë që Millosheviqi bëri llogari të gabuara, duke u besuar efekteve të fushatës serbe kundër UÇK-së në muajt e saj të parë, gjë që e bëri të supozonte që kërcënimi nga UÇK-ja ishte mënjanuar. Ky është një nga ai lloj i gabimeve që janë karakteristike për luftërat kundër kryengritjeve: pasiviteti i sfidës kryengritëse interpretohet si mposhtje e saj, dhe, më pastaj, shfaqja sërish e rezistencës së armatosur dukej si një befasi e papritur. Por kjo ndodhte sepse shqiptarët përfundimisht kishin vendosur të jetonin të lirë.

Kosova erdhi nga lufta tërësisht e shkatërruar. Pamja e ditëve të para të qershorit 1999, ishte me rrugë të zbrazëta,dyqane të shkatërruara, ujësjellës të shkatërruar, papunësi e plotë, gërmadha dhe tym, të vrarë në rrugë, kufoma dhe grumbuj plehrash, pa bukë, pa mjete informimi, pa shkolla, tokat të pasigurta për t’u punuar nga minimet pa kriter të forcave jugosllave, shumica e bagëtive humbur, mbi 120.000 shtëpi të djegura e të shkatërruara, rreth 300 objekte shkollore të shkatërruara ose djegura, sistemi i kujdesit shëndetësor si dhe sistemi bankar ishin shkatërruar; rrugët të prishura; urat të shkatërruara; nuk kishte rrymë elektrike; nuk kishte shërbime postare, ndërkaq linjat telefonike ishin të rrëzuara etj.

Prandaj edhe në atë kohë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së doli me deklaratën në të cilën thuhej se “UÇK-ja do ta dënonte secilin që do ta merrte guximin të nënshkruante ndonjë marrëveshje e cila do të ofronte më pak se vendimi i popullit të Kosovës i shprehur me Referendumin e vitit 1991,” domethënë nga pavarësia. Dhe UÇK-ja e mbajti fjalën e solli lirinë dhe e krijoj shtetin.

Por, ku jemi sot? Çfarë po bëjmë?

Duket se në perëndim ka shumë simpatizantë të Rusisë dhe Serbisë.

Dhe nuk më vjen keq pse ka. Por më vjen keq që vlerësohen kundërvlerat.

Sot ne kemi në një gjyq fashist krerët e UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës. Dhe për çfarë arsyeje? Vetëm se kanë bërë një vepër kombëtare. Vetëm pse kanë kryer me nder detyrën ndaj atdheut e popullit të tyre. Vetëm pse kanë luftuar me armë në dorë pushtuesin që për një shekull kishte masakruar shqiptarët.

Sot po kërkohet që shqiptarët në Kosovë të jenë tolerantë. Dakord. Toleranca është kusht për lirinë. Por tolerancë nuk donëtë thotë harresë, dhe toleranca nuk është zëvendësim për drejtësinë. Ata të cilët kanë kryer krime dhe vijojnë të kryejnë krime në Kosovë duhet të dënohen.

Por sot po kërkohet të lihen serbët të bëjnë si të duan, të lihen të mos zbatojnë ligjet e shtetit, të mos paguajnë taksat e shtetit, të mos kryejnë detyrimet si shtetas, vetëm se qenkan serbë. Dhe këto i kërkon demokracia perëndimore. Thuhet se i kërkon edhe Amerika, por unë nuk e besoj, sepse Amerika është fanatike në zbatimin e ligjeve.

Unë e kuptoj tolerancën. Dhe tolerancë do të thotë gatishmëri për të jetuar pranë e pranë me armiqtë e deridjeshëm dhe për të bashkëpunuar me ta politikisht, në mënyrë që të mos lejohet ripërtëritja e dhunës. Por Serbia dhe serbët nuk ndalen. Ata nuk duan bashkëjetesë, por mbisundim. E mbisundimi kurrë nuk do të vijë më për ta. Bëjnë mirë të ndërgjegjësohen.

Ne jemi të qartë, se meqenëse Bashkësia Ndërkombëtare na ndihmoj të çlirohemi, i ka dhënë vetes edhe të drejtën për të ngulmuar që Kosova e pavarur duhet t’u japë të drejta të barabarta të gjithë qytetarëve të cilët janë të vendosur që të jetojnë në të. Por a po e bën këtë? A po kërkon të drejtë të barabartë për të gjithë, apo po na fut në rrugë qorre e pa të ardhme, duke tentuar të na krijojë një mjedis të mjegullt për të ardhmen. Duket sikur sot po mendohet se mund të kthehet koha e Milosheviçit. E ajo kohë ka vdekur. Të vdekurit nuk kthehen.

Popullata pakicë në Kosovë duhet të pajtohet me faktin që shpresa e tyre më e mirë për një të ardhme afatgjatë në Kosovë qëndron në pjesëmarrjen e plotë në institucionet e shtetit dhe në bindjen para ligjeve.

Ashtu sikurse të gjithë duhet ta kthejmë vështrimin nga Kosova Lindore, duke kërkuar që edhe atje të zbatohen të njëjtat parime e norma me ata që kërkohen për serbët në Kosovë. E kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ata që bëjnë politikë dhe analiza politike. Sepse të flasësh është një gjë e të arsyetosh sipas të drejtës është një gjë tjetër.

Prandaj nga ky manifestim do të apeloj për unitet gjithëshqiptarë, me qëllim që të tregojmë forcën tonë. dhe të tregosh forcën nuk do të thotë të tregohesh agresiv, por të tregohesh i dinjitetshëm dhe i qëndrueshëm.

Të nderuar pjesëmarrës!

Është privilegj të jesh me ju në ditët e shenjta të kombit. Ju diaspora në të gjitha vendet ku jeni na keni bërë krenar. Na keni përfaqësuar me dinjitet dhe me shumë mençuri, pavarësisht se ne atje në trojet etnike nuk iu kemi vlerësuar sa duhet e si duhet, por ju jeni falës, e doni shumë atdheun, e për rrjedhojë sa herë që lind nevoja ju jeni aty me ne. Këtë e treguat në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në Luftën për çlirimin e Kosovës Lindore, ashtu edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare kombëtare. Unë e di mirë se ju edhe sot e edhe nesër jeni aty me ne për të kapërcyer çdo vështirësi.

Rroftë kombi shqiptar,

Lavdi Ushtrive Çlirimtare të kombit shqiptar,

Lavdi dëshmorëve të atdheut,

Nderim për ju.

Faleminderit.

Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet SYLEJMANI Ish-të burgosurit politik janë të shumtë te populli…