Kosova dhe Serbia me qëndrime të kundërta për çështjet pronësore

10 dhjetor 2020 | 14:40

Në Bruksel ka përfunduar takimi në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ku në rend dite kanë qenë çështjet e lidhura me pretendimet financiare dhe pronësore që palët kanë ndaj njëra-tjetrës.

Pas takimit, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se sot pala serbe prezantoi “dokumentacionin me parimet” se si duhet të zgjidhin çështjet pronësore, sipas standardeve ndërkombëtare.

“Marrë parasysh që pozicionet e Beogradit dhe Prishtinës janë shumë të kundërta, ajo që kemi propozuar është që t’i vendosim parimet. Jo sipas dëshirave, por sipas asaj se si zgjidhen çështjet pronësore gjithkund në botë”, tha Petkoviq.

“Kemi qëndrime të kundërta, ku Prishtina paraqitet me interesat e veta, derisa Beogradi është racional dhe realist. Ne ofrojmë dëshmitë tona se çka është financuar, kush është pronar”, shtoi ai, transmeton Rel.

Sipas tij, me inicimin e çështjeve pronësore jepet kontribut për zgjidhjen e të gjitha problemeve në procesin e dialogut me Kosovën.

Petoviq tha se çështja e parë që është ngritur nga Serbia në takimin e sotëm në nivel ekspertësh ka qenë ajo e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas tij, kjo është çështja kryesore, në mënyrë që dialogu të jetë i suksesshëm.

Delegacionet fillimisht janë takuar ndaras me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog Mirosllav Lajçak e më pas do të kenë takimin e përbashkët.

Takimi i 10 dhjetorit vjen pas një pauze gjatë së cilës nuk ka pasur takime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i sistemit për kujdes shëndetësor dhe mbrojtje në Stokholm,…