Kosova, gati të mbetet pa vaksina

23 prill 19:19

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë përmes një njoftimi ka thënë se në Qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, nuk do të ketë vaksinime kundër COVID-19 gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët në vijim, pasi janë administruar të gjitha dozat që ka pasur kjo qendër.

“Vaksinimi në këtë qendër do të fillojë kur të arrijnë doza të tjera, derisa në ato komuna (QKMF) ku ka ende doza të pa administruara, vaksinimi do të vazhdojë ditët në vijim, deri në dhënien e të gjitha dozave në dispozicion”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë thotë se deri më tani me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca janë vaksinuar 22.096 persona.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24,000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

Pra, aktualisht Kosova në dispozion ka vetëm rreth 1.900 doza të vaksinës.

Është thënë që Kosova do të pranojë edhe 76,800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100,000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.

Bashkimi Evropian më 20 prill njoftoi se deri në muajin gusht do të furnizojë Kosovën me 95,000 vaksina kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer/BioNtech në kuadër të një ndihme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dashuria është triumfuese, pavarësisht të gjithave. Ani pse u hasën…