Kosova hap Konsullatën e Nderit në Nessebar-Burgas

25 maj 2018 | 14:48

Në kuadër të shtrirjes së përfaqësimit diplomatik, Republika e Kosovës për herë të parë që nga hapja e misionit diplomatik të Kosovës në Republikën e Bullgarisë,  ka përuruar konsullatën e nderit në qytetin antik në Nessebar në rajonin Burgasit, një vend turistik i mbrojtur nga UNESCO në brigjet e Detit të Zi.

Ky hap u konkretizua pas aprovimit të kandidaturës nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë për afaristin e njohur bullgar, Plamen Kopchev, si propozim i Ambasadës së Kosovës në Sofje.

Në ceremoninë e hapjes së Konsullatës së Nderit në Nesseber, ambasadori Shpend Kallaba, ka thënë se kjo konsullatë do të jetë një adresë më tepër për të gjithë ata shkencëtare, afaristë, sportistë të rajonit të Detit të Zi, të cilët janë të interesuar për bashkëpunim kulturor, ekonomik, dhe tregtar ndërmjet  të dyja vendeve.

Ndërkaq, pas marrjes së detyrës si Konsull Nderi, Plamen Kopchev, ka thënë se është i nderuar që të jetë bullgari i parë Konsull Nderi i Republikës së Kosovës.

“Para meje është një sfidë e madhe për të kryer me përgjegjësi dhe përkushtim këtë mision. Jam i bindur se konsullata e nderit e Republikës së Kosovës këtu në Nessebar do të jetë një vlerë shtesë në marrëdhëniet në mes dy vendeve tona mike”, ka theksuar Kopchev.

Qyteti antik i Nessebar daton në listën e mbrojtjes së UNESCO-s nga viti 1984, si dhe vizitohet gjatë sezonit veror nga 40 000 turistë brenda ditës, duke mbajtur primatin si destinacion kulturor e historik në Bullgari dhe me gjerë.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëse respektohet rregulli se lojtari më i vjetër i ekipit…