Kosova ka mungesë të zjarrfikësve

03 gusht 2021 | 17:39

Njohësi i çështjeve të emergjencave dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Tahir Ahmeti, ka bërë me dije se institucionet qendrore dhe lokale duhet të përgatiten për parandalimin e zjarreve fushore dhe pyjore.

Ai ka deklaruar se këto institucione duhet ta bëjnë mobilizimin e stafit dhe sigurimin e pajisjeve të nevojshme për parandalimin e zjarreve.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Ahmeti ka thënë se në këto raste duhet të ndodhë vetëdijesimi i qytetarëve për rrezikun nga zjarret pyjore dhe fushore.

“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, por edhe drejtoritë komunale për mbrojtje dhe shpëtim duhet të bëjnë përgatitjet maksimale profesionale për parandalimin dhe zvogëlimin e këtyre zjarreve. Duhet të përfshihet komuniteti lokal i atyre zonave ku zakonisht ndodhin zjarret, qoftë me trajnime të pjesëtarëve të komunitetit, qoftë edhe me fletushka vetëdijesuese të përgatitura për mënyrën e parandalimit dhe luftimit të këtyre zjarreve”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka vlerësuar se në këtë mënyrë do të ndihmohen zjarrfikësit të cilët në shumë raste, edhe pse bëjnë sakrificë të madhe, e kanë të vështirë luftimin e atyre zjarreve.

Ahmeti ka treguar se Kosova ka mungesë të theksuar të zjarrfikësve. Sipas tij, numri i vogël i stafit dhe pajisjeve jo të duhura e vështirësojnë punën e zjarrfikësve.

“Në bazë të ligjit për zjarrfikje dhe shpëtim, një zjarrfikës do të duhet të ishte për 1 500 banorë, ndërsa tani përafërsisht një zjarrfikës në Kosovë është për 2 800 – 3 000 banorë, pra kemi mungesë të theksuara të resurseve njerëzore. Kur kësaj i shtohet edhe ajo se edhe mjetet dhe pajisjet e zjarrfikësve nuk janë të nivelit që do të duhej të ishin, kjo edhe më shumë e vështirëson çështjen e menaxhimit të këtyre zjarreve”, është shprehur Ahmeti.

Njohësi i çështjeve të emergjencave ka treguar se në fushatat sensibilizuese duhen paralajmëruar qytetarët edhe për sanksionet që i presin për zjarrvënie të qëllimshme. “Duhen paralajmëruar qytetarët për sanksionet ndëshkuese nga shkaktimi i zjarreve të qëllimshme apo nga pakujdesia. Duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, inicimi i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm është vepër penale dhe sanksionohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, për shkak të temperaturave të larta ditët e fundit zjarret pyjore dhe fushore janë shfaqur në disa pjesë të vendit. Çfarë dëmesh mund të shkaktojnë këto zjarre?
Tahiri: Ditët e fundit kemi pasur temperatura ekstreme në Kosovë. Si pasojë e tyre dhe e faktorit njeri, nëpër shumë vise të Kosovës kemi pasur zjarre fushore dhe pyjore. Këto zjarre kanë përfshirë dhe djegur hektarë të tërë të pyjeve dhe fushave, kanë shkaktuar dëme edhe në prona private, por edhe kanë rrezikuar jetën e qytetarëve.

“Epoka e re”: Si e keni parë intervenimin e institucioneve kompetente në vatrat e zjarrit?
Tahiri: Zjarrfikësit e Kosovës që janë reaguesit e parë në këso emergjenca, prej fillimit janë munduar që me kapacitetet e tyre të vënë në kontroll këto zjarre, mirëpo është dashur të kërkojnë ndihmë edhe nga FSK-ja, Policia e Kosovës dhe KFOR-i qoftë për shkak të zonave të shumta të përfshira me zjarre, por edhe si pasojë e mungesës së resurseve njerëzore që janë në numër jashtëzakonisht të vogël.

“Epoka e re”: Cili duhet të jetë reagimi i shoqërisë dhe institucioneve për t’u përballur me këto situata?
Tahiri: Institucionet përgjegjëse si AME-ja nga niveli qendrore, por edhe drejtoritë komunale të emergjencave nëpër komunat e Kosovës duhet t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për parandalimin e zjarreve fushore dhe pyjore, duke filluar nga përgatitja dhe mobilizimi i stafit, sigurimi i mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme, e deri te sensibilizimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve për rrezikun nga zjarret pyjore, si dhe duke paralajmëruar qytetarët për sanksionet ndëshkuese nga shkaktimi i zjarreve të qëllimshme apo nga pakujdesia. Duke u bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, inicimi i zjarrit që është me rrezik të përgjithshëm është vepër penale dhe sanksionohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet.

“Epoka e re”: Vatrat e zjarreve janë shfaqur në disa komuna. Sa ka Kosova kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me këtë situatë?
Tahiri: Siç e theksova edhe më lart, institucionet emergjente, në këtë rast zjarrfikësit që janë reaguesit e parë, janë në numër mjaft të vogël në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës. Në bazë të Ligjit për Zjarrfikje dhe Shpëtim, një zjarrfikës duhet të jetë për 1 500 banorë, ndërsa tani përafërsisht një zjarrfikës në Kosovë është për 2 800 – 3 000 banorë, pra kemi munges të theksuara të resurseve njerëzore. Kur kësaj i shtohet edhe ajo se edhe mjetet dhe pajisjet e zjarrfikësve nuk janë të nivelit që do të duhej të ishin, atëherë kjo edhe më shumë e vështirëson çështjen e menaxhimit të këtyre zjarreve.

“Epoka e re”: Pothuajse për çdo vit po përsëriten situata të tilla. A është e nevojshme që institucionet të organizojnë kampanja vetëdijesuese në mënyrë që të mos përsëriten situatat e tilla?
Tahiri: Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, por edhe drejtoritë komunale për mbrojtje dhe shpëtim duhet të bëjnë përgatitjet maksimale profesionale për parandalimin dhe zvogëlimin e këtyre zjarreve. Duhet të përfshihet komuniteti lokal i atyre zonave ku zakonisht ndodhin zjarret, qoftë me trajnime të pjesëtarëve të komunitetit, qoftë edhe me fletushka vetëdijesuese të përgatitura për mënyrën e parandalimit dhe luftimit të këtyre zjarreve.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në partneritet me zyrën…