MKRS-ja shënoi hapjen e Muajit të Rinisë

03 gusht 17:33

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në partneritet me zyrën e UNICEF-it në Kosovë ka shënuar sot Muajin e Rinisë përmes fazës së dytë të programit të punës praktike “Kosovo Generation Unlimited”, me mundësi të punës praktike për 900 të rinj, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim.

Të pranishëm në ngjarje ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, këshilltarja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Dorotea Deshishku, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, private dhe publike, organizatat e shoqërisë civile (OSHC), mediat si dhe 200 të rinj.
Meqenëse Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, Muaji i Rinisë është një mundësi për të vënë në pah nevojën për vendosjen e të rinjve në qendër të prioriteteve kombëtare dhe për t’iu ofruar atyre aftësitë e nevojshme për të ardhmen.

Programi “Kosovo Generation Unlimited” synon të adresojë kalimin e të rinjve nga shkollimi në punësim.
Vitin e kaluar, si pjesë e fazës së parë të programit, 500 të rinj janë vendosur në pozita të punës praktike, prej të cilëve 38 për qind janë punësuar.

Sot, në shënim të Muajit të Rinisë, Zyra e UNICEF-it në Kosovë në fazën e dytë të programit “Kosovo Generation Unlimited” u ka ofruar mundësi për punë praktike 900 të rinjve në më shumë se 130 entitete private dhe publike.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se është krenar me punën e të rinjve dhe se Kosova do të investojë në potencialin e brezit të ardhshëm.

“Sfidat tona do të zgjidhen nga ky brez i të rinjve. Më shumë se liderë të rinjtë janë subjekt i ndryshimit. Rinia ka qenë zëri i lartë që shoqëria të përparojë. Sikur më parë Kosova po investon në potencialin e brezit të ardhshëm”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ndërsa, ambasadori i Austrisë, Christoph Weidigner, ka thënë se ky muaj i të rinjve është instrument i mrekullueshëm për të arritur objektivin me të rinjtë që ata të ndjekin ëndrrat e tyre.

“Të rinjtë janë pasuria më e madhe në Kosovë dhe më vjen mirë që Austria është mbështetja më e madhe për ta”, ka deklaruar Weidigner.

Këshilltarja e MKRS-së, Dorotea Deshishku, ka pohuar se për këtë organizim, janë siguruar që programi i këtij muaji të promovojë dhe adresojë të gjitha ato çështje që i konsiderojnë thelbësore për një jetë më të mirë.

“Po fillojmë me punësimin sot, por do vazhdojmë me fusha si rekreacioni, arsimi dhe shkenca, migracioni dhe integrimi i mërgatës, vullnetarizmi, përfshirja sociale, angazhimi në komunitet, aktivizimi mjedisor dhe shëndeti mendor i të rinjve”, ka thënë ajo.

Aktivitetet e Muajit të Rinisë organizohen nga data 2 gusht deri më 27 gusht, në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar në lidhje me propozimin…