Kosova me mungesa të lojtarëve kërkon fitore kundër Irlandës së Veriut

09 qershor 2022 | 11:17

Pas fitores ndaj Qipros dhe humbjes nga Greqia, Kosova e zhvillon ndeshjen e tretë në stadiumin “Fadil Vokrri” nga e cila ndeshje synon të marrë pikë të plota. Pavarësisht prej mungesave, trajneri Alain Giresse ka shprehur optimizëm se “dardanët” do të paraqiten mirë në këtë ndeshje.  

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e enjte) e zhvillon ndeshjen e tretë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve. Kundërshtare e “dardanëve” do të jetë Irlanda e Veriut. Kjo ndeshje fillon në orën 20:45 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Trajneri Alain Giresse në konferencë për medie, mbajtur një ditë para ndeshjes, ka thënë se “dardanët” kanë mungesa të shumta por, pavarësisht prej tyre, do të tregojnë performacë të mirë. “Ndodhemi në situatë të veçantë. Vlen të përmendet mungesa e dy lojtarëve që u ndëshkuan me karton të kuq. Këta dy lojtarë i shtohen listës së mungesave dhe atyre që nuk janë grumbulluar. Kemi vështirësi në pozicione të caktuara, pasi lojtarët që mungojnë janë të rëndësishëm në pozitat e tyre. Mirëpo ne do të tentojmë t’i përshtatemi situatës ku ndodhemi dhe të tregojmë performancë sa më të mirë”, ka thënë Giresse, i cili ka mohuar se ndien presion para ndeshjes së tij të tretë zyrtare me Kosovën. “Nuk jam në presion. Nuk e di si e shihni ju këtë pjesë, por ajo që dua të them është se jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme që të marrim rezultat pozitiv”, ka deklaruar strategu francez.

Për ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut ka folur edhe portieri Samir Ujkani, i cili, në mungesë të Aro Muriqit, pritet të jetë titullar. “Ne duhet të luajmë për rezultat dhe shpresojmë se mund ta arrijmë të enjten një gjë të tillë. Për ne është krenari të jesh pjesë e Kosovës, sepse gjithmonë tifozët kanë qenë pas nesh. Vetëm të gjithë së bashku mund t’ia dalim të shënojmë fitore, pasi shpresat tona janë gjithnjë për ta fituar grupin”, është shprehur Ujkani.

Optimist për fitoren ndaj Kosovës është sulmuesi i Irlandës së Veriut, Shayne Lavery. “Ne duam ta përdorim dhimbjen që e kemi për faktin që nuk e mposhtëm Qipron dhe t’i marrim tri pikë në Kosovë. Ne ishim të dëshpëruar që nuk arritëm të shënonim në udhëtim. Na mungoi prekja e fundit. Duam t’i përmirësojmë gabimet ndaj Kosovës. Kam besim se fitoret do të vijnë. Kemi lojtarë të talentuar”, ka thënë Lavery.

 

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbolli dhe sporti i Kosovës para katër vitesh humbi Fadil…