Kosova ndahet baras me Rumaninë

16 qershor 2023 | 22:42

“Dardanët” kanë barazuar në Prishtinë me Rumaninë dhe në këtë mënyrë janë edhe me larg ëndrrës për kualifikim në Evropian. Përzgjedhësi Alain Giresse ka thënë se fusha e renduar pas reshjeve të shiut ndikoi në mos fitoren e Kosovës, derisa nuk heq dorë për kualifikim. “Përderisa na lejon matematika, ka gjithmonë një shans dhe ne nuk dorëzohemi”, ka thënë pas ndeshjes Giresse.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka regjistruar barazimin e tretë radhazi në kualifikimet për Kampionatin Evropian “Euro

2024”, pasi luajti baras ndaj Rumanisë me rezultat 0-0. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova ishte dominuese ndaj Rumanisë, derisa arriti edhe të shënon gol, por pas rishikimit të VAR-it goli i Edon Zhegrovës nuk u pranua.

“Dardanët” ishin dominues në pjesën e parë të ndeshjes, derisa i patën edhe tri raste të mira shënimi të cilat nuk arritën t’i konkretizon në gol, Muriqi, Cenia dhe Muslija. Edhe në pjesën e dytë, Kosova ishte skuadër më e mirë dhe dominimi ishte thuajse gjatë gjithë kohës. Vojvoda lëshoi një rast të mirë shënimi më pas edhe Zhegrova, derisa në minutën e 69-të, anësori i Lille, Edon Zhegrova realizoi për 1-0, por gjyqtari e anuloi pas rishikimit të VAR-it. Muriqi pati edhe një rast të mirë në fund të ndeshjes, por topi përfundoi mbi portën e mysafirëve dhe ndeshja përfundoi 0-0. Pas ndeshjes, trajneri i Kosovës, Alain Giresse ka thënë se gjendja e fushës ka ndikuar që “dardanët” nuk arritën të fitojnë ndeshjen.

“Terreni dhe fati ndikuan. Në momentet e fundit mund të bënim më mirë. Por, terreni mbetet faktor kryesor në shkakun pse nuk gjetëm golin. Në fundin e lojës, Muriqi shpërdoroi rast të mirë. Përderisa na lejon matematika, ka gjithmonë një shans dhe ne nuk dorëzohemi”, ka thënë pas ndeshjes Giresse. Ky ishte barazimi i tretë i Kosovës në kualifikueset për “Euro 2024”, derisa të hënën përballet me Bjellorusinë në Budapest.

 

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Dr. Hajdin Abazi Kam shkruar më parë se gjithçka…