Kosova, ndër vendet prijëse në botë që i kushton rëndësi vaksinimit

13 dhjetor 2018 | 11:20

Kosova njihet si vend me mbulueshmëri të mirë të imunizimit (vaksinimit). Sipas profesionistëve nga fusha e shëndetit publik, Kosova renditet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit, me 95 për qind të popullatës së vaksinuar. Kurse sfidë më vete mbetet mbulueshmëria e vaksinimit të 5 për qind të popullatës, që i përkasin komuniteteve romë, ashkali e egjiptian.

Përkundër përpjekjeve të bëra nga zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, kjo kategori e shoqërisë vazhdon të mos jetë tërësisht e vaksinuar.

Sipas ekspertëve të fushës së shëndetësisë, vaksinat mund të mbrojnë nga 23 viruse të ndryshme dhe dy lloje kanceri. Vitet e fundit janë duke u zhvilluar një numër më i madh vaksinash, përfshirë një për virusin HIV, që shkakton sëmundjen e AIDS-it apo SIDA-s. Por, me gjithë këto përparime, shumë njerëz në botë zgjedhin të mos bëjnë vaksina as për vete, as për fëmijët e tyre.

Ndërkaq, në Kosovë disa vite të fundit ishte përhapur lajmi se vaksina kundër fruthit shkakton autizmin. Si rrjedhojë, shumë prindër edhe në Kosovë menduan që fëmijët e tyre të mos i vaksinojnë.

Nisur nga lajmet e shumta për efektet anësore të vaksinave, Leonita Bajraktari, nënë e dy fëmijëve, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se edhe ajo i kishte rezervat e veta pse dyshonte në vaksinim.

“Jam nënë e dy vajzave. I kam vaksinuar me rregull fëmijët, por megjithatë vajzës së vogël disa muaj ia kam shtyrë vaksinën kundër fruthit, pasi lexoja vazhdimisht se pikërisht kjo vaksinë po e shkakton autizmin. Megjithatë, pas lajmit se në Evropë është rishfaqur fruthi, unë kam vendosur ta vaksinojë, duke e ditur se virusi i fruthit mund të shkaktojë edhe vdekje. Unë si nënë nuk munda ta marrë atë përgjegjësi dhe mos ta vaksinojë vajzën, pasi i gjithë stafi mjekësor ishin kategorik se fëmija duhet vaksinuar”, ka thënë Leonita.

Epidemiologia Isme Humolli, ka thënë se vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin, duke demantuar informatat që jepen nga njerëz të ndryshëm në lidhje me vaksinimin.

“Vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin. Mendoj se çdo informatë që është kundër vaksinimit normal ka ndikuar negativisht. Por, paraqitja e rasteve të fruthit automatikisht e ngriti vetëdijen e popullatës dhe kërkesën për t’u vaksinuar dhe ata vetë u lajmëruan për vaksinim”, ka thënë Humolli.

Pikërisht epidemia e fruthit ishte përhapur në Evropë, por edhe në Kosovë me një shpejtësi më të madhe, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007 ishte trefishuar. Vitin e kaluar, në Evropë më tepër se 14 mijë njerëz u prekën nga fruthi. Numrin më të madh të rasteve e pati Rumania.

Ndërsa në Kosovë nga muaji qershor i vitit 2017, kur edhe ishin lajmëruar rastet e para të fruthit në Kosovë, viti është përmbyllur me 1 005 persona të prekur me këtë virus ku prej tyre 552 janë hospitalizuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sali Ahmeti, infektolog ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se gjatë vitit 2018, në muajin janar dhe shkurt ka pasur raste më të shpeshta të paraqitjes së fruthit, derisa më pas ka rënë intensiteti i virusit.

“Gjatë këtij viti ka pasur raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga fruthi, por që kanë qenë sporadike. Nuk ka pasur epidemi fruthi, siç ka qenë për shembull vitin e kaluar. Njerëzit që kanë qenë të pavaksinuar janë prekur me fruth, derisa popullata tjetër ka qenë imune, pasi kanë qenë të vaksinuar”.

“Besoj se tashmë edhe ata të pavaksinuarit e kanë kryer virusin dhe më pas nuk janë paraqitur raste të reja, pasi që duhet cekur se Kosova ka një mbulim të mirë me imunizim ose vaksinim”, ka thënë Ahmeti.

Sidoqoftë, në disa vende në botë tashmë janë forcuar ligjet për çështjen e vaksinimit. Në Kaliforni, sipas Zërit të Amerikës, nuk lejohet që fëmijët të mos vaksinohen, me përjashtim të rasteve kur ka një arsye shëndetësore.

Në Australi, Qeveria ofron falas vaksina për virusin HPV. Ky virus shkakton kancerin në qafën e mitrës, kanceri i dytë më i përhapur në mbarë botën te gratë.

Derisa në Kosovë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës nuk është në kalendarin e vaksinimit, andaj edhe gratë nuk e kanë mundësinë të vaksinohen.
Ndryshe, vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti, 50 femra janë prekur me kancer të qafës së mitrës. Ndërkaq, gjatë vitit 2017, kanë qenë 130 raste, të cilat janë paraqitur në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me këtë sëmundje.

Nga aspektin global, kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje që prek rreth 400 mijë gra në vit, kurse 200 mijë të tjera vdesin brenda vitit.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan përballet me një ndeshje vendimtare për kualifikim në…