KOSOVA NË BISHT TË SORRËS TË INTERESIMIT NDËRKOMBËTAR

13 shkurt 2025 | 14:45

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Zgjedhjet përfunduan, çka tani: Ende nuk po dihen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 prandaj edhe po spekulohet aq shumë se kush dhe si do ta formojë qeverinë. Natyrisht që LV-ja në bazë të ligjeve në fuqi ka të drejtën e ius prima noctis, të drejtën e herës së parë apo natës  së parë të propozojë qeverinë nëse i siguron 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.  E drejta e natës së parë më shumë ndërlidhet me aktivitete seksuale e që shumë përkon me politikën në Ballkan dhe në Kosovë. Nëse mandatari nuk siguron votat e mjaftueshme për qeveri i kalon presidentes si e drejtë diskrecionale e saj t’i japë mundësinë subjektit tjetër ta formojë qeverinë. Realisht, ai mandatar që i siguron 61 nënshkrime të deputetëve që pastaj do të konfirmohen me votim në Kuvend, e formon qeverinë. Kjo do të ishte qeveri e super pakicës që nuk siguron as kushte minimale që ajo të përmbush premtimet dhe synimet. Do të krijohej një ngërç institucional, me një qeveri krejtësisht jofunksionale, të lëndueshme dhe buzë greminës – rrëzimit. Nëse situata nuk ndryshon, këso qeverie do ta kemi.  LV-ja edhe nëse i fiton 50 mandate, me 1 deputet të Llaple Sellës, Rashiqin nëse e merr një mandat dhe me 10 deputetë joserbë i bënë 61 vota apo qeveri të greminës që nuk do ta bëjë asnjë punë përveç se do të marrin rroga, mëditje dhe do të tredhin miza duke udhëtuar nëpër botë, pa prodhuar asnjë efekt. Po flasë me kusht nëse Kurti e mbanë fjalën duke mos bërë koalicion me asnjë parti shqiptare e as me Listën Serbe. Edhe opozita aktuale nëse nuk bën koalicion me Listën Serbe do ta formojë një qeveri, me ndoshta 63 deputetë, edhe kjo qeveri e greminës, me këmbë të thyera që lehtësisht do të rrëzohej. Edhe varianti i parë sikur edhe i dyti, më së shumti do të mbijetonin e jo qeverisnin, as edhe një vit të plotë shkaku se formimi i qeverive të tilla i merr disa muaj. Në këtë raport forcash edhe pozita si dhe opozita do ta dërgonin vendin që zgjedhje të reja duke mos e siguruar kuorumin e nevojshëm për votim për zgjedhje të presidentit/ presidentes.

Si të dilet nga kjo situatë? Nëse dikush mendon se Albin Kurti do të heq dorë nga pushteti për ta tejkaluar bllokadën institucionale, e ka shumë gabim, nuk është në tokë të bukës. Albin Kurti do të provojë çdo mundësi ta formojë qeverinë qoftë edhe vetëm ne pakica duke lënë 53-55 deputetë shqiptarë në opozitë. Për Kurtin marrja edhe e një mandati qoftë edhe jo të plotë paraqet çështje të mbijetesës politike,  partiake dhe, sigurisht që do të garantonte për aq kohë edhe siguri fizike apo imunitet nga ligji. Me një fjalë, në vend se të shkojë në Prokurori dhe të dëshmojë siç e parasheh ligji ai do t’i ftonte prokurorët në zyrën e tij për t’i marrë në pyetje pse iu kanë rënë në qafë ministrave të tij , ambasadorëve apo jaranave për ndonjë milion euro të shmangur e që është shumë e papërfillshme kur e krahasojmë me buxhetin 12 miliardë euro gjatë mandatit të plotë të regjimit të tij. Për ta penguar opozitën, nëse nuk i siguron votat për qeveri të ardhshme, Albin Kurti ka njëqindmijë mundësi procedurale ta prolongojë procesin, pa ardhur në kundërshtim me ligjin. Sigurisht se këto mundësi i ka planifikuar Kurti në mendjen e tij të mbrapshtë.

Dhe, çka pas kësaj? Në zgjedhjet e fundit me vota kanë rënë vetëm LV-ja dhe AAK – NISMA. Fituese e madhe është PDK-ja por as LDK-ja nuk konsiderohet humbëse sepse është rritur nga 12 për qind në 18 për qind, pa numërimin e votave të mbetura. Në asnjë parashikim timin nuk e kam parë LDK-në nën 21 për qind, pragu minimal e as AAK- NISMA nën 10 për qind gjithashtu pragu minimal. Për PDK-në kam parashikuar se do të sillet kah 23 – 24 për qind. Prandaj kam menduar se LV-ja nuk e kalon 35 përqindëshin. Ashtu edhe do të bëhej, realisht po të rriteshin LDK-ja dhe AAK – NISMA. Në situatën aktuale që u krijua pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe pas fyerjes jonormale që ua bëri Kurti opozitës, zgjidhja më e mirë do të ishte që opozita aktuale të qëndrojë në opozitë deri te zgjedhjet e radhës dhe, jo që nuk duhet ta pengojë Kurtin ta formojë qeverinë por, përkundrazi duhet të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend për qeverinë Kurti 3, pastaj të mbetet në opozitë për ta lënë Kurtin ta bëjë rrugën qeverisëse bashkë me minoritetet joserbe dhe Listën Serbe.  Nëse LDK-ja hynë në koalicion me LV-në do ta harrojë pësimin e vitit 2021 çka do ta pësonte në zgjedhjet e radhës. As PDK-në nuk do të duhej të bënte koalicion me LV-në, do ta pësonte keq dhe do të kishte rënie të madhe në zgjedhjet e radhës aq më parë që fuqia politike e LV-së, edhe pas këtyre zgjedhjeve është e madhe dhe kur të dojë apo ka përfitim, LV-ja e rrëzon qeverinë. Pastaj, zgjedhjet lokale janë afër, PDK-ja dhe LDK-ja si dhe AAK – NISMA duhet të bëjnë përgatitje të menjëhershme për të rritur numrin e votave. Sidomos kjo vlen për LDK-në që ka pësuar fijasko edhe në komunat që janë konsideruar si “Jerusalemi i LDK-së”. Çdo lakmi e opozitës për të ardhur në pushtet në këto rrethana, aspak në favor të Kosovës e shkërrmoç opozitën ndërsa e forcon LV-në, pa asnjë dyshim. Nuk ka nevojë opozita ta rrezikojë shëndetin politik kur ka një përmirësim të ndjeshëm të shëndetit elektoral. LV-ja po thotë se populli përmes dhënies së 40 – 42 për qind të votave ua ka besuar edhe një mandat, mos i pengoni sepse do të jetë investim i mirë për të ardhmen e opozitës dhe rënie rapide e LV-së në ndërkohë që partnerët e koalicionit, minoritetet joserbe dhe LS-ja do t’i kenë mandatet e rezervuara dhe të garantuara. Bashkësia ndërkombëtare që personifikohet në fuqinë dhe karizmën e Trampit, në fokus e ka Ukrainën dhe Gazën, Kosova është në bisht të sorrës. Pse opozita të merret me Grenellin dhe Trampin, le të merret Kurti me partnerët joshqiptarë të koalicionit! Pse opozita të hyjë në fushat e minuara nga Kurti i cili, vetëm ai e di ku i ka vendosur dhe mund t’i vë në veprim kur ta vlerësojë se përfiton politikisht dhe e dëmton opozitën, politikisht dhe me vota. Mina të kurdisura janë veriu i Kosovës, sanksionet ndërkombëtare, papunësia, rritja e varfërisë  Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, kapja e të gjitha institucioneve të mundshme, korrupsioni struktural institucional, nepotizmi pandemik si dhe inferioriteti turpërues në skenën ndërkombëtare në raport me Serbinë. Nuk ka asnjë arsye që të pengohet nga opozita formimi i qeverisë Kurti 3 dhe janë njëqindmijë arsye që të mos bëjnë koalicion me Albin Kurtin, si hajvana të emërtuar nga vet Kurti.

A do të bëhet siç po e them unë? Kam frikë se jo. Sot  bossi i NATO-s tha se sipas të gjitha gjasave, qeveria e ardhshme e Kosovës do të jetë qeveri e koalicionit. Këtë e tha edhe ambasadori gjerman në Kosovë. Me fjalë të lakuriquara, hiç atë diplomatik nënkupton se Kurti do të detyrohet të bëjë koalicion. Ata nuk e konsiderojnë koalicion atë të LV-së me minoritetet joserbe e as me LS-në. Madje as me AAK dhe NISMA. Ata e konsiderojnë koalicion nëse LV-ja lidhet me LDK-në apo me PDK-në. Pse, në siguri do të pyetni. Ndërkombëtarët konsiderojnë se ky koalicion siguron qëndrueshmëri dhe shmang zgjedhjet e reja në vitin e ardhshëm kur të vjen në rend dite çështja e presidentit/presidentes. Pastaj këtyre iu duhen garantues për arritjen përfundimtare të marrëveshjes me Serbinë si dhe zbatimin e saj e që do të kërkojë kompromise të mëdha. Prandaj, ma merr mendja se ndërkombëtarët do ta caktojnë përbërjen e koalicionit sikur edhe arkitekturën e qeverisë, me ministra të filtruar nga vet ndërkombëtarët. Secili që do të kundërshtojë, pozitë apo opozitë mund të futet në listën e zezë si pengues të demokracisë apo moszbatues të marrëveshjeve dhe zotimeve ndërkombëtare. Nëse pengohet Kurti në formimin e qeverisë ai do ta luaj rolin e viktimës sikur të gjithë janë kundër tij. Në asnjë shtet të botës opozita nuk merr dhe nuk e ndanë përgjegjësinë me pozitën. Votojeni qeverinë Kurti 3, mund të jetë një humbje taktike por, pa asnjë dyshim do të jetë një investim shumë fitimprurës politik në të ardhmen për opozitën.

Sigurisht Muja, jo ulqinaku por mitrovicalia nuk pajtohet me këtë parashikim timin. Madje, më thanë sepse nuk e kam lexuar se ma paska ndaluar të merrem me parashikime sepse paskam dështuar te LV-ja në zgjedhjet e fundit. Po, nuk kam qenë i saktë në parashikim, e pranoj, arsyet i tregova më lartë. Merreni me mend po të kishte fuqi Armend Muja të nënshkruaj urdhër ekzekutiv si Donald Tramp, së çka do të bënte me në që nuk jemi në skemën e LV-së! Por, lexues të nderuar krahasojeni marzhën e gabimit tim për LV-në në zgjedhjet e fundit ne parashikimin e Mujës për zgjedhjet e fundit lokale ku thoshte se LV-ja i fiton sigurisht 21 e fiju komuna ndërsa i fitoi vetëm tri (3)!

Albin Kurti do t’i lusë partitë opozitare të bëjnë koalicion me te, si kusht i mbijetesës, partiake dhe personale. Fort do të dashurohet me hajvanët e opozitës dhe në vend të socialdemokracisë  liberale do ta kthejë kohën e hajvanatit. Albin mo, nuk e ka për herë të parë e as të fundit. Për të larë m.t me sh…ë, po i shkruan BE-së letër për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës në kohën kur vet ua shkelë këto të drejta duke i bërë pikë e pesë. Çfarë mashtrimi dhe zhvendosje e vëmendjes!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar ekipin e Trepçës…