Kosova nuk arrin të promovohet në Ligën A, humb nga Bullgaria

14 nëntor 2022 | 16:08

Përfaqësuesja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka pësuar humbje nga Bullgaria, me rezultat të ngushtë, 1:0, në ndeshjen e fundit dhe vendimtare në kuadër të Grupit 5 në kualifikimet e Ligës B për Kampionatin Evropian “Belgjika 2023”.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte përcaktuese për kombëtaren e cila do të promovohej në Ligën A, për t’i vazhduar kualifikimet në muajin mars. Para kësaj përballjeje të dyja kombëtaret kishin fituar bindshëm ndaj kombëtares tjetër të këtij grupi, Gjibraltarit. Vajzat e drejtuara nga Kushtrim Munishi e nisën mirë ndeshjen dhe arritën të krijojnë disa mundësi para portës bullgare.

Madje, në minutën e 19-të Aurona Racaj doli krejtësisht e vetme para portës, por në vend të rrjetës e dërgoi topin pranë shtyllës së portës kundërshtare. Në anën tjetër, bullgaret arritën ta kapitalizojnë mundësinë e ofruar në minutën e 29-të, kur Dimitra Ivanova e mposhti Alma Demirin. Edhe pas pësimit të këtij goli Dardanet e reja vazhduan me lojë të mirë dhe në minutën e 35-të krijuan një tjetër rast të pastër, por kësaj radhe para portës nuk u tregua e saktë Flondra Behrami.

Në pjesën e dytë gjërat u vështirësuan edhe më shumë për Kosovën kur Kreshnike Ramaja u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 57-të. E këtë epërsi numerike në fushë, por edhe në rezultat bullgaret e menaxhuan mjaft mirë deri në fund të ndeshjes, duke u promovuar në Ligën A. Pas ndeshjes përzgjedhësi i Kosovës U19, Kushtrim Munishi theksoi se përjashtimi i Kreshnike Ramajës ndikoi në rrjedhën e lojës dhe pamundësoi reagimin e ekipit të tij për përmbysje të rezultatit.

“E kemi ditur se do të jetë vështirë kundër Bullgarisë, ngase është ekip që ka qenë pjesë e Ligës A. Ne, i patëm tri raste të pastra shënimi, por nuk i realizuam. Golin e pësuam nga një pakujdesi dhe më pas nuk arritëm të kundërpërgjigjemi. Pa dyshim në rrjedhën e lojës ndikoi përjashtimi i lojtares sonë, por lojtaret u angazhuan maksimalisht deri në fund”, ka theksuar Munishi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në “Facebook” janë publikuar pamje të rënda ku shihet në…