Kosova nuk mund të hedhë baltë mbi ShBA-të

06 mars 2020 | 14:58

Shkruan: Alketa G. Fazliu

Të dashur miq,
Jemi dëshmitarë se ditëve të fundit në mediat sociale dhe midis aktivistëve partiakë të Kosovës, qarkullojnë zëra këmbëngulës, të drejtuar kryesisht kundër të dërguarit special të ShBA-së për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi.
Personalitete të ndryshme publike, aktivistë politikë të Kosovës, por jo vetëm, të lidhur me parti të shumicës në pushtet, por jo vetëm me atë, si dhe të angazhuar në shtypin që bën opinion në Kosovë, si dhe shtypin shqip jashtë Kosovës, duke spekuluar me çështje të politikës së brendshme amerikane, janë përfshirë kohët e fundit në një fushatë, aspak rastësore, që shpërndan lajme të rreme për ShBA dhe rolin e tyre në Kosovë.
Pjesë e fushatës janë idetë, të promovuara në mënyrë aktive dhe sistematike përmes rrjeteve sociale, që gjoja se i dërguari amerikan është i shitur në Serbi, apo tek armiqtë e Amerikës ose kinse amerikanët nuk e duan atë.
Përgjatë të njëjtave linja, gjithashtu është argumentuar se Presidenti aktual amerikan nuk e përfaqëson Amerikën dhe se shqiptarët duhet të bëjnë çmos për të parandaluar që presidenti Trump të rizgjidhet në postin e presidentit të ShBA.
Këto përpjekje për të “ndikuar” në ShBA janë natyrisht absurde. Por gjithsesi, edhe pse të kota dhe të rreme, për Kosovën ato mbeten negative.


Asnjë lajm i rremë dhe raportim i pjesshëm i situatës politike amerikane nuk i bën mirë Kosovës përballë Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi. Duke e ditur mirë kujdesin e Amerikës për Kosovën dhe faktin se për Kosovën duhet të ketë rëndësi mënyra se si në opinionin tonë publik portretizohen përfaqësuesit e ShBA, është koha të jepen disa sqarime, jo pak të rëndësishme:

Së pari:
Është jashtëzakonisht veprim i pamatur përpjekja për të shtyrë popullin tonë kundër Shteteve të Bashkuara në çfarëdo mënyre. Portretizimi i të dërguarve të saj në opinionin publik vendas është çështje thjesht parimore për Shtetet e Bashkuara. Por mënyra sesi trajtohen ShBA në opinionin tonë publik, është çështje me interes jetësor për Kosovën.

Së dyti:
Emërimi i Richard Grenell në krye të institucionit kyç të Inteligjencës Kombëtare është një vendim sovran i presidentit Trump, çka tregon vëmendjen e tij personale për çështjen thelbësore të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është padyshim një çështje e brendshme e politikës amerikane, por që tregon fokusin e përtërirë të presidentit të ShBA në sigurinë kombëtare si në frontin e brendshëm “homeland security”, ashtu dhe në vazhdën e vendimeve të rëndësishme që do të merren në Lindjen e Mesme, Lindjen e Largët dhe natyrisht Kosovën.

Së treti:
Meqenëse institucioni i Inteligjencës Kombëtare u krijua pas sulmeve të 11 shtatorit për të koordinuar 17 agjencitë e inteligjencës së Amerikës, funksioni i drejtorit të inteligjencës kombëtare shihet gjerësisht si pozicioni kryesor për sigurinë e kombit Amerikan. Richard Grenell është personi përgjegjës për sigurinë dhe inteligjencën kombëtare të ShBA, dhe asnjë pikë baltë që i hidhet atij nga Kosova nuk do ta ndryshojë atë. Thënë kjo, të gjithë e dimë se ku mbarojnë plehrat e hedhura kundër erës.

Së katërti:
Pavarësisht nga ato që personat e përmendur më lart kanë thanë për të, Kosova duhet të marrë parasysh deklaratën e Shtëpisë së Bardhë që konfirmon emërimin e tij. Shtëpia e Bardhë shprehet se drejtori Grenell është i angazhuar për një qasje jopolitike, jopartizane në krye të inteligjencës kombëtare, nga ku varet siguria e Shteteve të Bashkuara. Kevin Mc Carthy ka konsideruar që Grenell “ka një histori të dëshmuar të punës për vendin tonë, dhe tani, ai do të punojë çdo ditë për t’u siguruar që amerikanët janë të sigurt”. Duhet të kemi parasysh këtë. Qëndrimi i Uashingtonit zyrtar duhet të na ndihmojë për kuptimin e drejtë të kredencialeve së drejtorit Grenell.

Së pesti:
Vetë vazhdimi i emërimit të Richard Grenell si i dërguari special i Amerikës në bisedimet e paqes në Kosovë dhe Serbi përveç që është kreu i Inteligjencës Kombëtare të ShBA, tregon vëmendjen e veçantë të administratës amerikane në Ballkanin Perëndimor. Kosova duhet ta ruajë dhe ta meritojë këtë vëmendje. Nuk duhet të përpiqet të luajë me të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e Qeverisë së sotme është votuar programi i…