Kosova po përkeqëson raportet me ndërkombëtarët për shkak të taksës

05 mars 14:25

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili është dhe anëtar i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Ferat Shala, ka thënë PDK-ja si parti opozitare do të ketë një rol konstruktiv në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në shërbim të shtetit dhe në konsolidim të ekonomisë së vendit dhe projekteve zhvillimore. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky koalicion qeverisës LV-LDK ende nuk ka prezantuar program qeveritar.

Ai ka thënë “së fundi u kuptua se nuk kanë plan as për taksën, nuk kanë plan as për projektet zhvillimore dhe për asnjë punë”, ka thënë Shala, duke shtuar se në këtë çështje Kosova ka edhe përkeqësim të raporteve me partnerët ndërkombëtarë. “Po ashtu, kemi edhe përkeqësim të raporteve me partnerët ndërkombëtarë për shkak të lojës me taksën dhe që në parim janë duke e stagnuar zhvillimin e vendit, duke bërë kështu që ende mos të kemi plan buxhetor për këtë vit të miratuar”, ka theksuar Shala.

Duke folur për shkarkimet e disa bordeve nga qeveria Kurti, ai thotë se këto shkarkime po bëhen pa analizë të mirëfilltë. Shala ka thënë se është bërë shkelje flagrante me shkarkimin e bordit të “Trepçës”.

“Epoka e re”: Z. Shala, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen LV-LDK?
Shala: Në parim mungesa e planit të qeverisë reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë në planin e punës të komisioneve parlamentare, veçanërisht të atij për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike. Ne nuk mund ta hartojmë një plan të mirëfilltë pune si parlamentar pa pasur një plan qeveritar, në mënyrë që ne ta fillojmë trajtimin e problemeve reale që sot ballafaqohet ekonomia dhe shoqëria në vend. Mungesa e planit të qeverisë është me  pasoja të drejtpërdrejta në punën e parlamentarëve të Kosovës.

“Epoka e re”: Mbase kishin një plan qeverisës të prezantuar nga z. Kurti në ditën që u votua qeveria e tij. Cila është përshtypja juaj për këtë plan qeverisës?
Shala: Në parim nuk ishte plan, ishin disa pika teorike të atij plani pa asnjë elaborim, afatizim apo plan kohore konkret, duke anashkaluar kështu dhe eksplorimin zhvillimor të tij. Pas paraqitjes së atyre pikave në Kuvendin e Kosovës nga z. Kurti që nga ajo ditë më nuk kemi asnjë elaborim apo dokument zyrtar në duart e parlamentarëve. Pra, vetëm janë paraqitur dhe lexuar disa pika të planit.

“Epoka e re”: Ju keni qenë drejtor në “Trepçë”, ndërkohë para disa ditësh Qeveria e Kosovës mori vendim që ta shkarkojë bordin e “Trepçës”, marrë parasysh rrethanat në të cilat ndodhet ky institucion. Si e vlerësoni shkarkimin e këtij bordi?
Shala: Gjithmonë kur ngutesh edhe mund të gabosh. Ai bord ka respektuar ligjet në fuqi dhe veprimet e qeverisë, mirëpo për ta shkarkuar bordin pa analizë të mirëfilltë ekonomike dhe pa analizë hulumtuese zyrtare të organeve përgjegjëse kompetente është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në organet e pavarura, pra të ndërmarrjeve dhe agjencive, pasi që nuk ka qëndrim zyrtar të asnjë mekanizimi shtetëror legal që ata kanë bërë ndonjë shkelje.  Prandaj, shkelja e madhe është bërë nga qeveria me shkarkimet e tyre mbi bazën e thashethemeve dhe grupeve të interesit që parimisht po sillen. Për këtë fakti më i mirë është kur praktikisht zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, aprovon vazhdimin e procedurave të konkursit edhe pse parimisht nuk do të duhej fare të përfshihej në të. Janë organet e drejtësisë dhe organet legale të shtetit që duhet të funksionojnë në çdo konkurs dhe për çdo vend pune ku supozohet se ka shkelje, por jo politika, jo ministritë dhe zëvendëskryeministrat për të shkuar atje dhe për t’u marrë me çështje që janë të definuara ligjërisht. Prandaj, mund të themi se është bërë shkelje flagrante me shkarkimin e bordit të “Trepçës”.

“Epoka e re”: Sipas jush, si mund të rimëkëmbet ky institucion?
Shala”: Në parim, me politika ditore nuk mund të rimëkëmbet “Trepça”. Mund t’ju them se me këto ndërhyrje politike nuk mund të ketë rimëkëmbje të “Trepçës”. Po ashtu, as me ndërhyrje të grupeve të interesit dhe të pushtetit lokal të koordinuar mirë me pushtetin qendror. Në grupe dhe në interes për politika ditore nuk ka rimëkëmbje të “Trepçës”.

“Epoka e re”: Tani u hap gara elektorale për zgjedhjet në Podujevë. Cilat janë pritjet e juaja për këtë komunë?
Shala: Pritjet tona janë të natyrshme. Si PDK kemi një kandidat të shkëlqyer, i cili do të jetë në shërbim të qytetarëve. Presim të gjithë qytetarët e rajonit të Llapit ta bëjnë ndryshimin e madh, i cili mund të ndodhë më 15 mars.

“Epoka e re”: Cili do të jetë roli i PDK-së si parti opozitare?
Shala: Partia Demokratike e Kosovës do ta ketë një rol konstruktiv në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në shërbim të shtetit dhe në konsolidim të ekonomisë së vendit dhe projekteve zhvillimore. Pra, çdoherë duke pasur për bazë të ardhmen e vendit. Gjithsesi në luftë të pakompromis me anë të politikave legale, kundër abuzimeve që ka filluar t’i bëjë qeverisja aktuale me shkarkimet e bordeve pa analizë të mirëfilltë ekonomike. Po bëhen dy muaj që nuk kemi program qeveritar. Po ashtu, kemi edhe përkeqësim të raporteve me partnerët ndërkombëtarë për shkak të lojës me taksën dhe që në parim janë duke e stagnuar zhvillimin e vendit, duke bërë kështu që ende mos të kemi plan buxhetor për këtë vit të miratuar. Ne kemi një plan buxhetor vetëm për muajin mars dhe ende nuk e kemi buxhetin e plotë. Gjithashtu, nuk e kemi planin e qeverisë dhe nuk kemi asnjë projekt zhvillimor të prezantuar në tavolinën e punës. Pra, jemi duke u marrë me të kaluarën dhe duke ricikluar demagogji elektorale.

 “Epoka e re”: Kemi një lloj dykuptueshmëri të koalicionit sa i përket tarifës 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës marrë parasysh edhe seancën e kaluar. Cili është këndvështrimi juaj për këtë?
Shala: Koalicioni qeverisës nuk do të ketë harmonizim në këtë pikë. Do të kenë dhunshëm një pajtueshmëri për interesa të caktuara apo për shkak të presionit të caktuar. Fatkeqësia e vendit, e ekonomisë dhe zhvillimit, është saktësisht në këtë pikë. Së fundi u kuptua se nuk kanë plan as për taksën, nuk kanë plan as për projektet zhvillimore dhe për asnjë punë. Edhe pse kishin deklaruar se ‘ne i kemi harmonizuar planet qeveritare zhvillimore’, në seancën parlamentare e së hënës u pa që nuk kanë asnjë plan zhvillimor dhe programor për vitin që jemi.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brukseli i ka ardhur në ndihmë Greqisë për të përballuar…