Kosova, shtet me qera!

27 maj 2025 | 12:43

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)

Një ministre që i bëri shumë dëm integritetit territorial të Kosovës nënshkroi një Marrëveshje me MD-në Danimarkës për lëshim me qera të Burgut të Pasjakut, komuna e Gjilanit ku në afatin 10 vjeçar do të vendoseshin 300 të dënuar për vepra të rënda kriminale në shtetin e Danimarkës. Të gjithë të dënuarit për krime më të rënda janë nga vendet e treta dhe asnjëri nuk është danez. Ministrja e Drejtësisë me këtë marrëveshje i bëri dëm të madh Kosovës, e dëmtoi jashtëzakonisht shumë Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe përligji trajtimin racist e të dënuarve në të njëjtin shtet; të dënuarit për krime të rënda që po i imponohen Kosovës do të trajtohen sipas standardit danez kurse të dënuarit në Kosovë, ndonëse janë kategoria më sociale në Ballkan do të trajtohen pakrahasimisht më keq se të dënuarit që do të deportohen nga Danimarka, në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin e tyre. Ministrja keqbërëse po shkelë në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria duke përligjur dy sisteme korrektese brenda një shteti unitar. Pastaj, nën presion dhe shantazh, një numër i papërgjegjshëm dhe i painformuar i deputetëve të Kuvendit të Kosovës kontribuan në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje kriminale. KMDLNj bashkë me partnerë danez ka kundërshtuar me të gjitha mjetet e mundshme këtë marrëveshje duke iu drejtuar edhe Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo e fundit kushte miratuar një Rezolutë që nga qeveria daneze kërkonte anulimin e kësaj marrëveshjeje shkaku se seriozisht i shkelë të drejtat e njeriut. KMDLNj që atëherë ka tërhequr vëmendjen se po krijohet një presedan i rrezikshëm duke krijuar mundësi për marrëveshje tjera të cilat Kosovën e shndërrojnë në deponi ku do të vendosen refugjatët nga shtetet evropiane e që nga shtetet refuzuese konsiderohen si mbetje njerëzore. Dhe, erdhi koha. Në një konferencë në Tiranë, presidentja e Kosovës u vetofrua, pa pasur ende një kërkesë zyrtare nga Mbretëria e Britanisë së Madhe, se Kosova do të pranojë refugjatët nga ky shtet e që i është refuzuar strehimi. Pas një jave, edhe qeveria në detyrë ndonëse as kjo nuk kishte pranuar kërkesë nga Mbretëria e Bashkuar, u vetofrua për pranimin e refugjatëve të paligjshëm nga ky shtet. Vetëm udhëheqës të papërgjegjshëm e që nuk e duan vendin mund të vetofrohen për pranim të refugjatëve të paligjshëm në kohën kur pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës përpiqen të mbijetojnë në kushte të një standardi minimal. Kosova nuk ka kapacitete fizike, njerëzore e as materiale për të strehuar kriminelë nga Danimarka e as refugjatë të paligjshëm nga Britania e Madhe prandaj, pa asnjë nevojë po shndërrohet në një shkelëse të madhe të drejtave të njeriut.
Aventurat politike për përfitime politike dhe jo vetëm politike të KM në detyrë dhe presidentes shetitëse duhet të pamundësohen nga Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës, vendorë dhe ndërkombëtarë. Mos lejoni që qytetarët e Kosovës të shndërrohen më qiraxhinj në shtëpinë e tyre.
Të burgosurit e prurë me dhunë nga Danimarka dhe një numër i papërcaktuar i refugjatëve të paligjshëm nëse arrihet marrëveshja për këtë do të prodhojnë pasoja serioze për situatën e sigurisë në Kosovë sikur që do ta fusin Kosovën në listën e shteteve që seriozisht i shkelin të drejtat e njeriut. Kriminaliteti, tregtimi me qenie njerëzore dhe narkotikë do të gjejnë hapësirë ideale të lulëzojnë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë përcaktuar ndeshjet gjysmëfinale të Kampionatit Evropian U-17 “Shqipëri 2025”.…