Kosova, siguresa e NATO-s për Ballkanin Perendimor

12 tetor 2022 | 08:35

Një Kosovë në NATO nuk nënkupton vetëm një siguresë më shumë në mekanizmin ushtarak të Aleancës Veriatlantike, por edhe një shansë më tepër për instalimin e standardeve demokratike në shtendërtim, që nënkupton zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut , shtetin e së drejtës, goditjen e krimit dhe korrupsionit dhe luftimin e të gjitha formave të kanosjeve të brendshme e të jashtme. Për rrjedhojë, një pyetje e logjikshme që shtrohet është se sa do të ishte e favorshme për sigurinë kolektive të NATO-s një Kosovë e dobët dhe e shkërmoqur nga brenda?

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Kosova si “mur gjeopolitik” që ndan botën sllave-lindore, e ndikuar nga politikat e Kremlinit dhe botën e civilizimit perendimor, vazhdon të tërheq vëmendjen si një zonë me mundësi eventuale të rrezikut për detabilizim nga jasshtë. Faktori vendimtar që ndikon në amortizimin e këtij rreziku, është, pa dyshim, prania e forcës shumëkombëshe të NATO, përmes misionit tash më të njohur KFOR, i cili u dislokua në Kosovë në muajin qershor të vitit 1999, pas dëbimit të forcave serbe nga territori.
Duke kaluar nga një zonë me ndikim margjinal perendimor, në një zonë ku ky ndikim paraqet edhe një gurë peshoreje në kantarin e gjeopolitikës, Kosova tash më po trajtohet si një faktor ku e ardhmja e Ballkanit Perendimor duhet patjetër të testohet nëpër sfidat e sigurisë rajonale dhe globale. Ky testim po bëhet edhe më domethënës pas agresionit rus në Ukrainë, me ç’rast gatishmëria për të parandaluar shtrirjen e konflikteve në këtë pjesë të rajonit po analizohet me kujdes në zyrat e strategëve të NATO-a dhe të diplomatëve që monitorojnë situatën e si gurisë në pika të caktuara të globit. Në të gjitha këto analiza dhe vëzhgime ekziton një vlerësim i përbashkët se në Ballkanin Perendimor ende ka vrima të zeza të cilat shfrytëzohen nga Rusia dhe satelitët e saj për ta destabilizuar rajonin.
Ky është edhe shkaku që ka detyruar klasën politike të Kosovës që të shqyrtohet sa më parë mundësia e anëtarësimit të shtetit tonë në NATO, si garancë e vetme e ruajtjes së paqës në këtë pjesë të rajonit. Arsyeshmëria e një kërkese të tillë lidhet me faktorët kryesorë të sigurisë rajonale, të cilët jo rrallë kushtëzohen nga faktorët politik në Beograd, që me të drejtë quhen edhe transmetues të ndikimit rus në Ballkanin Perendimor. Tensionet e herë pas hershme në veri të Kosovës rishfaqin aspiratat serbo-ruse për shtrirjen e ndikimit të tyre në këtë pjesë të Europës Juglindore, me çka Rusia synon të vendos një kufi të përhershëm të sferave të ndikimit, duke iu afruar ujërave të ngrohta me qëllim të neutralizimit të krahut lindor të NATOs.
Ka plot njerëz që pretendojnë se garantimi i paqës në Kosovë është i pacënueshëm falë pranisë së KFORI-t. Kjo është e vërtetë, po aq sa është e vërtetë edhe fakti që Kosova, megjithatë, ka nevojë të përfshihet në strategjinë aftagjate ushtarake-politike të NATO-s, sidomos pas asaj që ndodhi në Ukrainë. Aventurat serbe për destabilizim të vendit tonë janë pjesë e planeve të menduara mire, të cilat projektojnë faza të ndryshme të veprimit në terren në mënyrë që të arrihet një prej objektivave të Memorandumit 2 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), ku parashihet që në një të ardhme jo të largët shteti i Kosovës të bëhet sa më jofunksional, në mënyrë që të realizohen planet e Beogradit për bosnjizimin e vendit tonë.
Për rrjedhojë, një pyetje e logjikshme që shtrohet është se sa do të ishte e favorshme për sigurinë kolektive të NATO-s një Kosovë e dobët dhe e shkërmoqur nga brenda?

Përgjigjet në këtë pyetje në mënyrë të tërthort i dha edhe Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“, i cili i zhvilloi punimet për tri ditë me radhë në Prishtinë (8, 9, 10 tetor) dhe ku ishin të pranishëm më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.

Në këtë takimi tre-ditor u diskutua për sfidat dhe perspektivën e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane, mbështetjen e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në rajon, për qeverisjen dhe reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Ligjvënës të NATO-s, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe të institucioneve e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, gjithashtu diskutuan edhe për perspektivën e integrimit evropian të Kosovës dhe progresin e deritashëm, për situatën ekonomike në rajon pas Covid-19, për rolin e të rinjve në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme, për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, zhvillimet politike dhe të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, implikimet e luftës në Ukrainë për Ballkanin Perëndimor, shtrirjen dhe implikimet e ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, pastaj për kontributin e grave për paqen dhe sigurinë rajonale, pjesëmarrjen politike të tyre në Kosovë, si dhe forcimin e sundimit të ligjit e luftimin e korrupsionit.

Me vet faktin se të gjitha këto tema u trajtuan në Prishtinë, flet për faktin se NATO përpos që është një mekanizëm ndërkombëtar i sigurisë kolektive, ajo është edhe struktura më e përgatitur politiko-ushtarake që kujdeset për balancat gjeopolitike e gjeostrategjike në botë. Dimensioni politik i kësaj strukture është e një rëndësie të veçantë, sidomos në raport me pretendimet ruse për të penguar procesin e demokratozimit dhe liberalizimit në disa shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore. Kjo është edh aryeja pse Kremlini e sheh me sy jo të mirë zgjerimin e NATOs në kufinjt e saj lindor, përfshi edhe Kosovën.
Dimensioni politik i NATO-s e bën më të qartë arsyen e gjithë atyre që kërkojnë me ngulm përfshirjen e Kosovës në këtë aleancë shumëkombëshe ushtarake. Kjo parasegjithash ndërlidhet me ruajtjen e vlerave demokratike perendimore nga ndikimet arbitrare që vijnë nga shtetet me demokraci të pazhvilluar, ose me regjime totalitare.
Një Kosovë në NATO nuk nënkupton vetëm një siguresë më shumë në mekanizmin ushtarak të Aleancës Veriatlantike, por edhe një shansë më tepër për instalimin e standardeve demokratike në shtendërtim, që nënkupton zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut , shtetin e së drejtës, goditjen e krimit dhe korrupsionit dhe luftimin e të gjitha formave të kanosjeve të brendshme e të jashtme.

Prishtinë, 11 tetor 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari organizativ dhe zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës, Betim…