“Kosova të kërkojë nga shtetet anëtare të BE-së mbështetje për liberalizimin e vizave”

06 janar 2022 | 14:11

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe frustrimin e kosovarëve që duan të udhëtojnë jashtë vendit.

Megjithatë ai ka dhënë disa këshilla për  Kosovës edhe pse janë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

Në një shkrim autorial të titulluar “Optimizmi do ta takojë realitetin. Rreth të ardhmes evropiane për Kosovën”, Szunyogu ka shkruar se Kosova në këtë situatë mund të flasë me shtetet anëtare që hezitojnë ta mbështesin në liberalizimin e vizave.

“Jam shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave dhe e kuptoj frustrimin për faktin se njerëzit në Kosovë ende kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Schengen. Në këtë kuptim, Komisioni Evropian mban vlerësimin e bërë në korrik 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Ky propozim është në pritje në Këshill”, ka shkruar Szunyogu.

Por, ai ka propozuar që Kosova “t’i shfrytëzojë” disa mundësi, duke u angazhuar në një dialog me shtetet anëtare të BE-së për ta marrë mbështetjen e nevojshme në këtë çështje. “Kosova ka një mundësi për t’u angazhuar në një dialog me shtetet anëtare për të kërkuar mbështetjen e tyre, si dhe për të qenë e gatshme ta adresojë çdo shqetësim që disa mund ta kenë ende”, ka shkruar Szunyogu, duke shtuar se që kjo të ndodhë, Kosova duhet të fokusohet në politikat ekonomike, garancitë e sundimit të ligjit dhe standardet e nevojshme për tërheqjen e investimeve.

“Ajo që ka rëndësi janë vendimet konkrete, legjislacioni i miratuar, masat e zbatuara dhe strukturat në fuqi”, ka shkruar ai.

Szunyogu është shprehur i lumtur me mbështetjen që qytetarët e Kosovës ia japin anëtarësimit të Kosovës në BE. Kjo ka thënë se i jep motivim për ta vazhduar punën e tij në Kosovë dhe që ta përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.

Si zhvillime pozitive të vitit të kaluar, Szunyogu ka theksuar zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale për të cilat ka thënë se kanë dëshmuar  për pjekurinë demokratike të Kosovës, pasi ishin të administruara mirë, transparente dhe të drejta, pavarësisht disa mangësive.

“Zgjedhjet e përgjithshme rezultuan në një qeveri të fortë me një shumicë të qëndrueshme në Parlament dhe me një agjendë ambicioze reformash. Për më tepër, viti ka shënuar rritje të mirë ekonomike. Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës ka tejkaluar parashikimet. Kosova, si shumë prej nesh, ka luftuar me pandeminë këtë vit, por po hyn në vitin e ri me nivele të ulëta të infektimeve dhe shkallë relativisht të lartë të vaksinimit. Kosova po e nis vitin me një notë të fortë dhe ka arsye për të qenë optimistë për të ardhmen”, ka shkruar ai.

Këtë vit, Szunyogu ka thënë se është koha për ta përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Qeveria aktuale, ka thënë Szunyogu mund të marrë vendime të rëndësishme për këto çështje, duke u mbështetur në mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian. Duke vazhduar me Raportin vjetor të Progresit për Kosovën, ai ka thënë se vendi duhet të zbatojë reforma konkrete. “Kosova mund të bëjë më mirë; njerëzit meritojnë më mirë. BE-ja jo vetëm që ofron mundësi, por është gjithashtu e gatshme ta ndihmojë Kosovën në shfrytëzimin maksimal të tyre, në partneritet të ndershëm dhe respekt të ndërsjellë. BE-ja e ka mbështetur Kosovën edhe financiarisht. BE-ja është këtu për të vazhduar mbështetjen e Kosovës për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë; gjithçka varet nga përkushtimi i Kosovës”, ka shkruar shefi i zyrës së BE-së në Kosovë.

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, sipas tij, varet nga rezultatet konkrete dhe të qëndrueshme në disa çështje si sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguria, të drejtat themelore, reforma e administratës publike, zhvillimi ekonomik dhe konkurrueshmëria. “Procesi është i gjatë dhe kompleks, por shpërblimi ia vlen: një Kosovë stabile, e begatë, demokratike dhe paqësore”, ka shkruar ai.

Pas urimit, Szunyogu e ka përmbyllur shkrimin autorial, duke thënë se Kosova ka mundësi reale që ta bëjë të ardhmen e saj më të mirë. “BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën që t’i afrohet BE-së. Por ne nuk mund ta bëjmë pa ju: në fund të fundit është zgjedhja dhe përgjegjësia e Kosovës”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka…