KQZ-ja aprovon mbi 7 mijë pako me fletëvotime jashtë Kosovës dhe refuzon mbi 2 mijë të tjera

14 nëntor 2025 | 11:31

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se mbi 9 800 pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues.

“Deri të premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjell në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9 800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7 240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2 570”, ka bërë me dije zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për “Tëvë1”.

Më tutje, ai ka treguar edhe arsyet e refuzimit të fletëvotimeve.

“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2 500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike që votuesi e pranon nga KQZ”, ka thënë Elezi.

Sipas KQZ-së, më 11 dhe 12 nëntor janë tërhequr 13 084 pako nga kutitë postare të 22 shteteve të botës, shumica e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë.

Në përfundim të procesit të vlerësimit, KQZ-ja do të publikojë të dhënat për çdo komunë për numrin e pakove që do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar progres historik pas rezultateve të…