KQZ-ja: Asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë

11 maj 2026 | 15:06

Asnjë prej 27 subjekteve politike që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit nuk e kanë dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë.

Lajmin e ka bërë me dije për “Epokën e re”, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Deri më tani (e hënë, 11 maj 2026, ora 14:00) asnjë nga 27 subjektet politike nuk ka dorëzuar online listën e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, ka thënë Elezi.

Më tutje, Elezi ka njoftuar se ka përfunduar periudha për subjektet politike që ta njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve.

Në këtë kontekst, Elezi ka thënë se “numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të mbajë sot…