KQZ-ja nuk e njeh dekretin e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve

10 qershor 2019 | 16:10

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka zhvlerësuar dekretin e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për anulimin e zgjedhjeve, në një mbledhje urgjente pas vendimit të shefit të shtetit, i cili ka firmosur të hënën para kamerave dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri është larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja duke thënë se asnjëherë më parë dekreti i Presidentit nuk është vënë në diskutim, por ka qenë nënkryetari Denar Biba, përfaqësues i PS-së, i cili ka drejtuar mbledhjen.

Biba e ka akuzuar Metën për refuzim të zbatimit të urdhrit kushtetues për caktimin e një date të zgjedhjeve.

“Presidenti refuzon të zbatojë urdhërimin që e detyron atë të caktojë datë zgjedhjesh. Sipas nenit 1 të Kushtetutës, qeverisja bazohet në sistem zgjedhjesh periodike, çdo katër vjet. Shfuqizimi i dekretit që përcaktonte datën 30 qershor është shkelje e hapur dhe flagrante e parashikimeve të mësipërme duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh dhe pa proces zgjedhor. Ky dekret nuk sjell asnjë pasojë juridike, ai konsiderohet se nuk ekziston, çdo subjekt që ndesh një akt të tillë nuk i nënshtrohet rregullave të tij dhe nuk e merr parasysh. KQZ-ja ka detyrimin të vijojë punën”, ka thënë Biba, raporton “TCh”.

Sipas tij, ky dekret i dytë që shfuqizon atë të nëntorit, është akt administrativ dhe i pavlefshëm.

“Në kundërshtim me nenin 108 të kodit të procedurave administrative, bie në kundërshtim me dispozitën urdhëruese të kodit. Bie ndesh me parimin e parashikuar nga neni 4 i kodit të procedurës administrative, sipas të cilit organet ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda kufijve të kompetencave dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë këto kompetenca. Presidenti ka diskrecion të caktojë një datë, por jo të shkojë përtej kësaj dhe akoma më keq të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Duke shfuqizuar sot dekretin e nëntorit vendi është pa datë zgjedhjesh”, është shprehur Biba.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të qytetit, Komuna…