KQZ-ja ua ka marrë dorën zgjedhjeve, Elezi: Janë sfidë, por i mbajmë

28 prill 2026 | 12:55

Derisa kanë mbetur më pak se 24 orë afat për zgjedhjen e presidentit dhe në rast se nuk ndodh kjo vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare nga institucioni i cili e organizon procesin zgjedhor deklarojnë se mbajtja e një procesi të ri zgjedhor në një interval të shkurtër kohor pas zgjedhjeve të fundit përbën një sfidë të madhe.

Madje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka as buxhet të ndarë për organizimin e zgjedhjeve të mundshme.

Megjithatë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi për “Kosovapress” ka theksuar se KQZ-ja është e obliguar të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor, duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen e çdo procesi.

Elezi ka bërë me dije se për vitin 2026 nuk është planifikuar asnjë proces i rregullt zgjedhor, dhe për këtë arsye, në ndarjet buxhetore të këtij institucioni nuk janë përfshirë mjete për një proces të mundshëm të parakohshëm.

Sipas Elezit, nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, një nga hapat e parë që do të ndërmarrë KQZ-ja është hartimi i një plani buxhetor për organizimin e tyre, i cili do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës për miratim.

Elezi ka treguar se sa mund t’i kushtojë Kosovës edhe një proces tjetër zgjedhor, i cili do të jetë i pesti brenda 16 muajve.

E marta është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president. Në seancën e së hënës u prezantuan si kandidate për deputete, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, ndërsa nga kandidimi u tërhoqën zëvendëskryministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djellza Hakiqi shpall të pavlefshme certifikatën e testit të Arritshmerisë…