KQZ mbikëqyrë shtypjen e fletëvotimeve nga kompania sllovene: Përmbajnë elemente të avancuara të sigurisë

26 maj 2026 | 18:18

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka përcjellë nga afër procesin e shtypjes së fletëvotimeve që do të përdoren për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Shtypja e fletëvotimeve po realizohet nga shtypshkronja “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.

Në njoftimin e KQZ’së theksohet se fletëvotimet përmbajnë elemente të avancuara të sigurisë, “të cilat garantojnë autenticitetin dhe mbrojtjen e tyre nga kopjimi apo falsifikimi, në përputhje me standardet e përcaktuara nga KQZ.”

Shtypja e fletëvotimeve është mbikëqyrur nga ekipe të anëtarëve të KQZ-së, të cilët kanë përcjellë nga afër të gjitha fazat e këtij procesi.

“Fillimisht, procesi i shtypjes së fletëvotimeve është mbikëqyrur nga anëtarët Ilir Gashi, Sami Hamiti, Muharrem Nitaj, Violeta Salihu, ndërsa më pas mbikëqyrja është vazhduar nga Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtari Alban Krasniqi. Gjatë ditëve në vijim, fazat përmbyllëse të këtij procesi do të mbikëqyren edhe nga anëtarët e tjerë të KQZ-së Stefan Filipović, Delvir Tairi dhe Shukrije Stolla. Pjesë e këtyre ekipeve janë edhe zyrtarë të Sekretariatit të KQZ-së”, theksohet në njoftim.

Sipas vendimit të KQZ-s, janë planifikuar të shtypen 1,778,300 fletëvotime, prej të cilave 1,605,000 për votimin në vendvotime të rregullta; 19,450 për votimin me kusht; 13,500 fletëvotime rezervë, 3,500 për votimin e personave me nevoja të veçanta; 108,000 për votimin me postë; dhe 28,850 për votimin në përfaqësi diplomatike.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë ka qenë 284 mijë e 506 euro, teksa me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë është dhënë për 342 mijë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të fillimit të fushatës për zgjedhjet e 7…