Krasniqi: Amerikani Grenell nuk mundi, ndërsa Borelli që s’e njeh shtetin e Kosovës u bë kumbarë i koalicionit LV-LDK

03 shkurt 2020 | 14:30

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Memli Krasniqi, ka thënë para deputetëve se koalicioni LV-LDK është i pazareve të pista që synon ta bëjë kryeministër, Albin Kurtin, i cili sipas tij krejt karrierën e vet politike e ka ndërtuar me mashtrime, manipulime dhe dhunë.

“Trajektorja politike e Albin Kurtit, e frymëzuar nga mësimet e kasapëve revolucionarë, jo vetëm që dhunoi kundërshtarët e tij politik, po nuk kurseu as bashkëpunëtorët e tij të afërt, të cilët për të ishin vetëm kurban për arritjen e qëllimeve të tij. Ai i sakrifikoi ata edhe kur i nxori në rrugë duke i gënjyer se Kosova kurrë s’do të bëhet shtet, por edhe kur i nxiste për të sulmuar institucionet e shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Sot, pak më butë, i sakrifikon për t’u bërë Kryeministër, si puna e njeriut më të afërt të tij, kurban Konjufcës. Sepse, për Albin Kurtin, asnjë çmim nuk është i lartë, nëse atij ia mundëson kapjen e pushtetit, për të cilin ka ëndërruar e ka vepruar me metodat më të pista tash e gati 15 vjet”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se ironia e madhe këtu është se paterica e Albin Kurtit që po e bën atë kryeministër sot është një parti (LDK) të cilën ai vet e luftoi në të gjitha mënyrat e mundshme.

“Është Isa Mustafa që ky Albin e quajti me vite ‘argat të Serbisë’ e ‘tradhtar të vendit’. Sot, Isa është ‘Profesor i nderuar’ për Albinin, sepse pa Isën, Albini nuk mund ta kap pushtetin që e dëshiron kaq shumë. Këta dy, si dy monarkë diktatorë, siç mund t’i quajnë disa deputetët të Vetëvendosjes, bënë pazaret e natës në ‘ranchin e Prapashticës’, jo vetëm për të çnderuar Kuvendin e Kosovës dhe pozitën e Kryetarit të këtij institucioni, por edhe për ta bërë Isa Mustafën president të vendit kur t’i vije koha, edhe pse këtë pikë të marrëveshjes asnjëri s’po guxon ta publikojë. Ajo që po dihet sot, së paku, është fakti se Albin Kurti po na del edhe si fallxhor i suksesshëm, sepse ka muaj që ai e ka përcaktuar për LDK-në, pa i pyetur ata fare, se kush do të jetë kryetare e Kuvendit. Pra, sot apo këto ditë, marioneta e Albinit në LDK, Vjosa Osmani, do të bëhet kryeparlamentare, ashtu siç e përcaktoi Albini fatin e saj, tash e sa muaj më parë”, ka theksuar Krasniqi.

Zyrtari i lartë i PDK-së, ka thënë se koalicioni LV-LDK është i panatyrshëm i një partie të ekstremit të majtë me një parti që e quan vetën të qendrës së djathtë.

“Kaluan mbi 1600 orë deri sa ju u morët vesh dhe pikëpyetja e madhe e marrëveshjes suaj është pse e bëtë kumbarë të koalicionit Josep Borellin? Pse u deshtë një spanjoll që s’e njeh as shtetin e Kosovës të ju bëje bashkë, derisa i dërguari i presidentit Trump, ambasadori Grenell, nuk ua la shenjë me vizitën e tij? Çka duhet të presim prej koalicionit që e ngjiz oferta e burokratit të BE-së që është kundër pavarësisë së Kosovës? Për çka jeni marrë vesh në atë darkë me Borellin? Sigurisht se jeni marrë vesh që ta vazhdoni dialogun me Serbinë, por ku i le kushtet për atë dialog, Albin? A do të shkosh në takim me Serbinë pa kërkuar ata falje për krimet e luftës dhe për gjenocidin që ka bërë Serbia në Kosovë? A do të kërkosh reparacionet e luftës, siç ke proklamuar me vite? A do t’i anulosh marrëveshjet e deritashme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e veçanërisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’ që e ka nënshkruar Isa Mustafa, partneri yt në këtë koalicion? Apo do t’i harrosh krejt këto premtime, siç i ke harruar edhe njëqind të tjera deri sot, dhe do të shkosh i buzëqeshur në Bruksel për të bërë pazare në kurriz të shtetit tonë?”.

“Sot, juve vërtetë ju erdh dita, por Kosovës i erdhi nata. Sepse dita e juaj është nata e Kosovës. Drita e juaj është terri i Kosovës. Ëndrra e juaj është makthi i Kosovës. Ju do ta kapni pushtetin prej sot, por dijeni se në asnjë minutë nuk do të jeni të qetë që të veproni pa dhënë llogari për çdo veprim tuajin. Opozita e këtij mandati do të jetë jo vetëm kontrolluesi, por edhe korrektuesi i juaj. Zoti e bekoftë Kosovën tonë dhe qytetarët e saj e për hajr na qoftë kjo dasmë”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetrari i Aleancës Kosova e Re (AKR), njëherësh deputet i…