Krasniqi, Apostolovës: PDK-ja po angazhohet për konsensus rreth dialogut me Serbinë

21 janar 2019 | 19:13

Agjenda legjislative për këtë vit, reformat në sektorë të ndryshëm që ndërlidhen edhe me agjendën integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, dialogu me Serbinë dhe tema të tjera, u diskutuan të hënën në mes të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe deputetët Elmi Reçica, Blerta Deliu-Kodra dhe Sala Berisha-Shala. Krasniqi e ka njoftuar Apostolovën edhe për qëndrimin e PDK-së pro dialogut me Serbinë, me synimin që të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare obligative.

Ai ka theksuar angazhimin e PDK-së për një konsensus të plotë të spektrit politik të Kosovës rreth dialogut.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur edhe për përkushtimin e PDK-së në Kuvend që të ketë angazhim edhe më të madh në reforma të rëndësishme për vendin si në sundimin e ligjit, ekonomi, arsim dhe fusha të tjera.

Për këtë, ka theksuar Krasniqi, do të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me Bashkimin Evropian dhe partnerë të tjerë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), të hënën u mbajt…