Kuvendi shkon në pauzë, rezoluta për barnat onkologjike mbetet pa u votuar
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë përkohësisht për shkak të mungesës së kuorumit, duke mbetur pa u votuar edhe propozim-rezoluta për sigurimin e barnave esenciale për pacientët me sëmundje onkologjike.
Rezoluta është prezantuar nga deputetja e PDK-së, Sala Jashari, e cila ka kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale për të garantuar furnizimin e vazhdueshëm me terapi për pacientët e Klinikës së Onkologjisë.
Përmes këtij propozimi kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-ja të marrin masa konkrete për të parandaluar përsëritjen e mungesave të barnave dhe ndërprerjen e trajtimit të pacientëve.
Ndër pikat kryesore të rezolutës është kërkesa që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditësh nga miratimi i saj, të raportojë në Kuvend për mungesat e barnave onkologjike nga 1 janari deri më 22 tetor 2026, duke përfshirë numrin e pacientëve të prekur dhe arsyet e mosfurnizimit.
Gjithashtu, kërkohet krijimi i një sistemi të paralajmërimit të hershëm për mungesat e barnave, përcaktimi i rezervave minimale dhe shqyrtimi i mundësisë së kompensimit të pacientëve që kanë blerë me shpenzimet e tyre barnat që mungonin në institucionet publike.
Rezoluta përfshin edhe kërkesën për identifikimin e përgjegjësive institucionale lidhur me vonesat në furnizimin me barna, përfshirë palbociclibin dhe bleomicinën.
Pavarësisht rëndësisë së çështjes së ngritur, propozimi nuk është hedhur në votim, pasi në sallën plenare ishin të pranishëm vetëm 48 deputetë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se punimet do të vazhdojnë në orën 16:30, pas pauzës së caktuar për shkak të mungesës së kuorumit.



