Krasniqi: Bojkoti i seancave nuk i bën mirë askujt

06 shtator 2018 | 14:56

Pas dështimit të mbajtjes së seancës së ftuar nga opozita, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se opozita e ka kuptuar se qasja e njëanshme dhe ajo e bojkotit nuk sjellë asgjë pozitive.

Ai ka thënë se sikur të punonin së bashku pozita dhe opozita, brenda dy ditësh do të arrinin jo vetëm të krijonin një ekip përfaqësues, por edhe platformë të përbashkët.

Krasniqi është shprehur optimist se në mbledhjen e Kryesisë do të gjendet zgjidhja për të gjetur gjuhën e përbashkët rreth dialogut me Serbinë që mbahet në Bruksel.

“Bojkoti rëndom sjell bojkot dhe kjo nuk i bënë mirë as institucioneve të vendit, as Kuvendit si institucioni më i lartë. S’i bën mirë para së gjithash Kosovës dhe qytetarëve të saj” , ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, besimin për të udhëhequr procesin e dialogut e kanë dhënë qytetarët e Kosovës, me ç’rast ka theksuar se të gjithë përfaqësuesit e popullit kanë përgjegjësinë e tyre në këtë proces, përgjegjësi për të cilën duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë.

Krasniqi ka shprehur bindjen e tij të plotë se Kuvendi i Kosovës nuk do të pranojë në asnjë mënyrë Asociacionin e Komunave Serbe që ka kompetenca ekzekutive.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari sportiv, Milaim Krasniqi është optimist se Përfaqësuesja e Kosovës…