Krasniqi: Çlirimi i Kosovës ka ndodhur në qershor të vitit 1999

22 nëntor 2021 | 13:10

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke uruar shqiptarët për Kongresin e Manastirit, ka thënë se çlirimi i Kosovës ka ndodhur në qershor të vitit 1999.

“Gjuha shqipe na ka mbajtur të bashkuar për shekuj dhe vetëdija e bartur përmes të shkruarit të gjuhës shqipe ka qenë themel i projektit kombëtar për çlirim. Çlirimi i ndërgjegjes sonë politike me shkrimin, leximin dhe artikulimin e vetëdijes, ka qenë parakusht për çlirimin politik, i cili ndonëse padrejtësisht tepër vonë, në Kosovë ka ndodhur vetëm një herë dhe atë në qershor të vitit 1999, pas luftës së lavdishme e të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Nga 14 nëntor deri me 22 nëntor të vitit 1908, elita patriotike, intelektuale dhe atdhetare e kombit do të mblidhej në qytetin e Manastirit, për të ndërtuar një kohezion kombëtar rreth të shkruarit të gjuhës shqipe, duke unifikuar alfabetin shqip.

Kongresi i Manastirit, rrjedhimisht, është ngjarje me karakter kombëtar të jashtëzakonshëm dhe një kthesë vendimtare e përcaktuese për të ardhmen e shqiptarëve në rangun e qytetërimit perëndimor.

Duke shënuar 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit, kujtojmë me nderim të gjithë ata intelektualë e atdhetarë që tejkaluan barrierat e kohës, duke u bërë bashkë në thirrjen kombëtare për të vënë në dritë të shkruarit e gjuhës shqipe. Përkundër të gjitha pengesave dhe rrethanave të kohës, ata u mbajtën të bashkuar për të vendosur një mjet vendimtar në çlirimin e vetëdijes kombëtare, e cila vetëdije do të kulmonte edhe me çlirimin politik të kombit tonë.

Gjuha shqipe na ka mbajtur të bashkuar për shekuj dhe vetëdija e bartur përmes të shkruarit të gjuhës shqipe ka qenë themel i projektit kombëtar për çlirim.

Çlirimi i ndërgjegjes sonë politike me shkrimin, leximin dhe artikulimin e vetëdijes, ka qenë parakusht për çlirimin politik, i cili ndonëse padrejtësisht tepër vonë, në Kosovë ka ndodhur vetëm një herë dhe atë në qershor të vitit 1999, pas luftës së lavdishme e të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë.

Urime Dita e Alfabetit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BB VIP – U bënë disa javë që banorët e…