Krasniqi: Diktimi i çmimeve sikur të ishim në Kinë ose Kubë, po mbetet në duart e një ministre me aktakuzë

20 tetor 2022 | 11:41

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në lidhje me diskutimin dhe propozimin e qeverisë për të vendosur çmimet tavan në produktet bazë, ka thënë se parimisht janë kundër intervenimit të shtetit në vendosjen e çmimeve.

Sipas Krasniqit, kur ka nevojë për ndërhyrje të tilla, duhet të bëhen sipas Kushtetutës, e jo në kundërshtim me të.

“Neni 119 i Kushtetutës thotë qartë se duhet me pasur autoritete të pavarura që merren me intervenimin në treg në raste emergjente. Ministri nuk është organ i pavarur”.

“Sot, nëse kish me hy ky ligj në fuqi, ne kishim me pasur një ministre me aktakuzë e cila kish me përcaktuar cilat produkte munden qytetarët me i ble, cilat jo dhe me çfarë çmimi. Ky është diktat. Kjo mund të ndodhë në Kinë ose në Kubë, por jo në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Me këtë projektligj, kryetari i PDK-së, ka thënë se do të mbyllen shumë minimarkete të vogla e mijëra qytetarë do të mbesin pa punë.

“Deri tash, kjo qeveri dhe as ministritë që e kanë si obligim primar, nuk kanë paraqitur asnjë evidencë se rritja enorme e çmimeve po shkaktohet nga abuzues të çmimeve. Në fakt, ka qenë vetë kjo ministre që ka thënë se e kanë gjetur fajtorin për rritjen e çmimeve, duke i shpallë fajtorë marketet e vogla të lagjeve për këtë gjë. Atëherë ju kam thënë se e keni ndërmend me bërë një ligj që i mbyllë këto markete dhe, ja ku jemi sot, me pikërisht një propozim të tillë, i cili, fatkeqësisht, do të lë pa punë mijëra qytetarë”, ka thënë Krasniqi.

Për më tepër, ai ka thënë se kjo është ndërhyrje direkte në tregun e lirë dhe shkelje e ligjit.

“Një prej parimeve bazë në deklaratën e pavarësisë së Kosovës, është ekonomia e tregut. Këtë bazament ju sot po dëshironi me e thyer. Ju e keni ba një ligj që nuk ka as afat kohor as asgjë. Në rast se duhet me u rregulluar tregu, kryesisht në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, për këtë qëllim Republika e Kosovës themelon organe të pavarura, jo qeveria me i diktuar çmimet”, ka thënë lideri i PDK-së.

Më tutje, kryetari i PDK-së i ka përmendur refuzimet e vazhdueshme që i kanë bërë për qeverinë.

“Ju kemi ftuar që një vjet me e heqë TVSh-në për çmimet esenciale, akcizën për naftë, që kishin me i ulë çmimet, keni refuzuar. E çka po bëni, tash e tutje dëshironi me ju tregu qytetarëve kur munden oriz e makarona me hangër”, është shprehur Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nubia Cristina Braga, një influencuese e njohur braziliane u gjet…