Krasniqi: Ekonomia digjitale hap mundësi të shumta

05 nëntor 2020 | 16:05

Në takimin virtual të ministrave të Tregtisë, të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samtimit të Sofjes, u fol për ekonominë e gjelbër, agjendën digjitale dhe për lëvizjen e të rinjve.

Me këtë rast ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në promovimin e politikave të ekonomisë së gjelbër, në energjinë e pastër, efiçiencën e energjisë dhe temat e mbrojtjes së ambientit.

Sipas tij, për zhvillimin e ekonomisë së gjelbër nevojitet një qasja integruese në politikëberje duke përfshirë shoqërinë, mjedisin dhe ekonominë, që është parakusht për politika ekonomike të qëndrueshme.

Ai tutje ka thënë se kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkon një mentalitet të ri të të bërit biznes, sepse kërkohen lloje të tjera të aftësive dhe shkathtësive në tregun e punës, që të rinjtë mund të punojnë në sektorë të ndryshëm dhe të jenë të aftë për të punuar si pjesë e ekipeve shumë-disiplinare. “Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar një zvogëlim, apo heqje e TVSH-së, e cila do të ulte koston përfundimtare të instalimit të paneleve solare për familjet dhe sektorin privat, si dhe do të ulë kohën e kthimit të investimit. Një masë e tillë do ta gjallëronte sektorin dhe do të rriste punësimin”, u shpreh Krasniqi.

Ai foli edhe për mundësinë e krijimit të një tregu (artificial) të përkohshëm, që mund të arrihet përmes investimeve në projektet për Efiçiencën në Energji dhe matësit RES (burimet e energjisë së ripërtëritshme) për zbatimin e furnizimit me energji solare në objektet publike, siç janë shkollat dhe spitalet, që do të përfitonin të dy palët duke punuar së bashku për të përmbushur objektivat e furnizimit me energji të rinovueshme, e që do të kontribuonin në kursime të konsiderueshme për buxhetin e Kosovës.

Po ashtu, ministri Krasniqi theksoi se zhvillimi i sektori privat dhe i ekonomisë digjitale kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një vendi dhe kjo vlen edhe për Kosovën. “Ekonomia digjitale hap mundësi të shumta. Në ditët e sotme inovacioni ka ndryshuar ekonomitë dhe tregjet duke i ri-dizajnuar relacionet në mes të furnizuesve dhe konsumatorëve, duke u bërë kështu element kyç për rritje, inovacion dhe krijim të vendeve të punës”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke punuar që të jetë në hap me kohën dhe zhvillimet teknologjike, sidomos në këtë periudhë pandemie e cila ka dërguar sinjal se ekonomia digjitale është ekonomia e së ardhmes dhe rrjedhimisht ne mbështesim Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë këtij takimi, ministri Krasniqi u bëri thirrje përfaqësuesve të BE-së, që t’u mundësohet lëvizje e lirë qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së dhe në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ekonomia digjitale nuk është e plotë nëse personat dhe sidomos të rinjtë nuk lëvizin lirshëm.

Në fund, ministri i përgëzoj vendet e CEFTA-s, të cilat tashmë kanë ratifikuar në parlamentet e tyre Protokollin Shtesë 6, një protokoll i cili ndër të tjera zbatohet dhe respektohet në tërësinë e saj, ku do t’i ofrojë rajonit një perspektivë zhvillimore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora…