Krasniqi: Kushtetuesja mund të marrë vendim edhe para 29 majit

02 maj 2020 | 18:00

Analisti nga Demokracia Plus, Albert Krasniqi beson se vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, mund të merret para afatit kohor kur është caktuar si masë e përkohshme.

Sipas tij, afati deri me 29 maj nuk do të merrej si afat përfundimtar,  sepse është një afat optimal dhe orientues brenda të cilit Gjykata mund të dalë me një vendim.

“Afati deri më 29 maj, i cili është caktuar prej Gjykatës për ta mbajtur këtë masë të përkohshme të pezullimit nuk do të thotë që është afati i fundit kur Gjykata mund të dal me vendimin përfundimtar, pasi mundet fare lehtë që të kemi një vendim para kësaj date, por po ashtu mund të kemi vendim edhe pas kësaj date. Ka raste kur Gjykata ka nxjerrë vendime për ta zgjatur këtë masën e përkohshme për shkak se nuk ka qenë i gatshëm aktgjykimi përfundimtar. Mirëpo duke ditur prioritetin e kësaj lëndë, unë shpresoj që vendimi përfundimtar do të jetë para 29 majit”, deklaron Krasniqi për kosovapress.

Vendimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, Krasniqi thotë se është një praktikë e zakonshme nga ana e kësaj gjykate, sipas të cilit një masë e tillë ishte edhe kur është zgjedhur kryetar i Kuvendit në vitin 2014, Isa Mustafa.

Megjithatë, sipas Krasniqit, ky vendim djeshëm nga Gjykata i kontribuon edhe uljes së tensioneve politike.

“Kjo masë ka për qëllim që të parandaloj që të ketë efekte juridike ky vendim, për shkak se do të mund të ndodhte që ligjet të cilat do të aprovoheshin me sponsorizim të Qeverisë, me pagat të cilat do të merreshin prej këtyre zyrtarëve”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi, tutje shton se të gjitha këto do të kishin pasoja juridike. “Ndërsa, 15-diteshi që tani do të duhej të ishte afati deri kur Avdullah Hoti do t’i propozonte kuvendit kabinetin e qeverisë së re tanimë pezullohet dhe nuk rrjedhë. Po ashtu përmes këtij vendimi Qeveria në detyrë e Albin Kurtit mbetet deri në momentin kur kjo Gjykatë nuk del me një vendim të ri. Krejt kjo masë i kontribuon edhe uljes së tensioneve të cilat janë krijuar ndërmjet subjekteve politike dhe kështu len një hapësirë që këto subjekte ta pranojnë një aktgjykim përfundimtar që vjen prej Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, do të intervistojë kryetarin…