Krasniqi pas takimit me Kurtin: Procesi i vettingut duhet të zhvillohet nga Kuvendi

29 qershor 2022 | 11:09

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka takuar të mërkurën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë.

Krasniqi ka thënë se PDK-ja ka vite që ka propozuar dhe elaboruar nevojën për fillimin e një procesi të vettingut në sistemin e drejtësisë në vend, teksa ka thënë se një proces i tillë duhet të implementohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe rekomandimet e veçanta nga Komisioni i Venecias.

“Meqenëse edhe Komisioni i Venecias në opinionin e tij ka kërkuar arritjen e konsensusit institucional e politik, transparencë dhe standarde të larta profesionale, PDK-ja vlerëson se zgjidhja e vetme e drejtë, e duhur dhe e qëndrueshme, është zhvillimi i këtij procesi nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përgjegjësinë kushtetuese të të cilit, në instancë të fundit, mbetet edhe miratimi ose jo i ndryshimeve kushtetuese të nevojshme”, është shprehur Krasniqi në konferencë për media.

Ai ka thënë se partia të cilën ai e udhëheq mbetet e përkushtuar në ofrimin e kontributit të vet për çdo nismë ligjore dhe kushtetuese që i shërben reformave të nevojshme dhe që bëhet në koordinim të plotë me partnerët strategjik, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit.

Kujtojmë se gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar të parin e PDK-së për të diskutuar për vettingun, ku pjesë e takimit ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sharr Travel kompania më e madhe turistike në Kosovë vetëm…